Përfundon pa rezultat rundi i ri i dialogut në Bruksel

(Lajm i përditësuar)

Në Bruksel është mbajtur rundi i ri i dialogut mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe atij të Serbisë, Petar Petkoviq, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Takimi nuk ka dhënë asnjë rezultat, megjithëse sipas pjesëmarrëvesve, janë diskutuar një sërë temash.

Ky rund bisedimesh kishte fokus zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë dhe Aneksit të saj.

Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se në takimin e 15 majit u bisedua se si palët e shohin drejtimin në të cilin po shkon procesi i dialogut. Ai tha se në agjendë të bisedimeve ishte “gjithçka që lidhet me zbatimin e Marrëveshjes” së Ohrit.

Bislimi konfirmoi se gjatë vizitës së javës së kaluar, Lajçak dërgoi në Prishtinë dhe Beograd disa dokumente që kanë të bëjnë me kompetencat e mekanizmit për zbatimin e marrëveshjes, me zbatimin e zbatimit e Deklaratës për të Zhdukurit, si dhe për qasjen e tij se si duhet të vazhdohet me zbatimin e pikës shtatë të marrëveshjes që ka të bëjë me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Në marrëveshjen që arritëm në Ohër thuhet qartë se asnjë nen i saj nuk kushtëzon nenin tjetër dhe se të gjitha nenet do të zbatohen në mënyrë të pavarur. Po ashtu, thuhet se asnjëra palë nuk do të bllokojë zbatimin e njërës apo tjetrës pikë të marrëveshjes. Ky është udhërrëfyesi për ne. Nuk besoj se ka vullnet në BE për të shmangur një dokument që vetë e ka krijuar dhe publikuar”, tha Bislimi në fund të takimit.

Deri më tani nuk ka paralajmërime se cilat do të jenë hapat e ardhshëm dhe kur do të takohen sërish Bislimi dhe Petkoviq.

Ndërkaq, kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, ka konfirmuar se pala serbe ka insistuar në formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, por që, sipas tij, nuk është e lehtë të bisedohet me Prishtinën.

“Kur duhej të bisedonim për çështjet e rëndësishme, siç është zbatimi i mëtejmë i formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, çështja e të pagjeturve, gjegjësisht se çfarë dhe si të bëhet më tutje pas Deklaratës për Personat e Zhdukur, por edhe për çështje të tjera të rëndësishme, siç është liria e lëvizjes, për çështjet që kanë të bëjnë me vetë jetën e serbëve në Kosovë, dhunën institucionale të [kryeministrit të Kosovës, Albin] Kurtit, e cila ndodh ndaj serbëve çdo ditë, sulmet e Policisë së Kosovës, të shtënat mbi serbët… për këto, Bislimi nuk donte të jepte kurrfarë përgjigjesh konkrete. Gjatë gjithë kohës, me ndërhyrje të ndryshme përpiqej ta bënte të pakuptimtë rrjedhën e dialogut”, u tha Petkoviq gazetarëve.

Para takimit trepalësh, i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, ka zhvilluar takime të ndara me Bislimin dhe Petkoviqin.

Ky ishte takimi i parë i kryenegociatorëve pas takimit në nivel të lartë midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 2 maj në Bruksel. Në atë takim, liderët politikë u pajtuan për deklaratën e përbashkët për të zhdukurit nga lufta e fundit në Kosovë dhe aty u prezantua nga Ekipi Menaxhues drafti i parë i statutit për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Përfundon takimi i kryenegociatorëve në Bruksel

Ka përfunduar takimi i radhës në nivel të negociatorëve në Bruksel, me ndërmjetësimin e përfaqësuesit special të BE-së, Miroslav Lajçak, njofton televizioni publik i Kosovës.

Ende nuk ka ndonjë deklarim nga palët nëse është arritur ndonjë progres në raundin e ri të dialogut, ku ishin ballë për ballë Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, por në fokus pritet të ketë qenë zbatimi i Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë dhe Aneksit të saj.

Në Bruksel nis takimi trepalësh i dialogut

Në Bruksel, pasditen e 15 majit ka nisur takimi trepalësh mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe atij të Serbisë, Petar Petkoviq, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Rundi i ri i dialogut pritet të ketë në fokus zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë dhe Aneksit të saj.

Paraprakisht, i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, ka zhvilluar takime të ndara me Bislimin dhe Petkoviqin.

Ky është takimi i parë i kryenegociatorëve pas takimit në nivel të lartë midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 2 maj në Bruksel. Në atë takim, liderët politikë u pajtuan për deklaratën e përbashkët për të zhdukurit nga lufta e fundit në Kosovë dhe aty u prezantua nga Ekipi Menaxhues drafti i parë i statutit për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Pritet që në takimin e 15 majit të vazhdohen diskutimet për këto çështje, por të bisedohet edhe për situatën aktuale në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, pas zgjedhjeve lokale të 23 prillit.

Në Bruksel vazhdon dialogu Kosovë – Serbi, takohen Bislimi e Petkoviq

Sot në Bruksel do të vazhdojë dialogu Kosovë-Serbi në nivel të kryenegociatorëve.

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak do të takojë kryenegociatorin e Kosovës për dialogun, Besnik Bislimin dhe Petar Petkoviqin nga pala serbe.

Në Bruksel sot pak pas orës 09:00 ka filluar takimi ndërmjet drejtorit të Zyrës për Kosovë Petar Petkoviq dhe të dërguarit special të BE-së për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Miroslav Lajçak.

Petkoviq dhe Lajçak u takuan në ndërtesën e Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm (EEAS) përpara raundit të ri të dialogut.

Lajçak është shprehur të premten se takimi i së hënës është mundësi e mirë për t’u pajtuar për hapat e ardhshëm.

Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka zhvilluar më 12 maj takim me kryeministrin Albin Kurtin, kryenegociatorin Besnik Bislimi, kryetarin e Mitrovicës, Bedri Hamzën dhe me përfaqësues të Listës Serbe.

Lajçak ka deklaruar se ka zhvilluar diskutim të rëndësishëm me kryeministrin Kurti për rrugën përpara në procesin drejt normalizimit. Ndërsa, Kurti është shprehur se në takimin me Lajçakun ka theksuar nevojën që marrëveshja bazë të zbatohet tërësisht.

Kujtojmë që në Bruksel më 2 maj Kosova dhe Serbia janë pajtuar për Deklaratën për të Zhdukurit, ku të dy vendet do të shtonin përpjekjet për zbardhjen e fatit të 1643 personave të pagjetur nga lufta e fundit. Ndërsa, në këtë takim është prezantuar edhe draft-statuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe nga Ekipi Menaxhues, tashmë i shkarkuar, në përbërje të serbëve të zgjedhur nga kreu i Listës Serbe, Goran Rakiq në kohën sa ka qenë zëvendëskryeministër në Qeverinë Hoti.

Back to top button