Përfundon seanca, gjykimi ndaj Pjetër Shalës vazhdon në maj

(Lajm i përditësuar)
Ka përfunduar dëgjimi i dëshmitarit të katërt në gjykimin kundër Pjetër Shalës në Hagë. Para trupit gjykues ishte paraqitur edhe një person i cili pretendon se babai i tij u kidnapua në Shqipëri dhe u keqtrajtua pastaj për disa ditë në Kukës. Me këtë dëshmitar ka përfunduar edhe seanca ndërsa gjykimi do të vazhdojë nga data 1 maj.
Sipas dëshmitarit, babai i tij e kishte njohur Pjetër Shalën vetëm gjatë kohës që sipas tij ishte kidnapuar dhe jo si rezultat i punës që bënte deri në vitin 1997 si polic.
Dëshmitari ka thënë se ka jetuar jashtë Kosovës dhe për ngjarjet rreth babait të tij ka mësuar nga familja.
Ndër të tjera, dëshmitari ka thënë se babain e tij nuk e ka takuar deri në nëntor të vitit 1999.
Derisa është përgjigjur në pyetjet e prokurorisë, ai ka thënë mbajtja e babait të tij në Kukës ka ndikuar negativisht në jetën e gjithë familjes më pas.
“Ndikoi shumë në jetën tonë, sepse nuk e kam besuar që një ditë do të keqpërdoren në atë mënyrë, sepse familja asnjëherë nuk e ka fituar atë, nëse kontribut për Kosovën kemi japur ndoshta më shumë sesa disa aty në kampin e Kukësit. Ajo ne na ka rënduar shumë”, ka thënë ai.
Ai ka thënë familja e tij ka dashur të bëhet pjesë e UÇK-së por sipas tij kjo ka qenë e pamundur për shkak se babai i tij kishte punuar polic deri në vitin 1997.
“Këta persona janë të një rrethi shumë të largët, sepse në atë rreth ku ne kemi qenë ka pasur luftëtarë lirie, ka edhe heronj, dhe i nderojmë ata. Kemi pasur dëshirë me qenë pjesë e tyre por në rastin e babait nuk kemi mundur me u kyç në radhët e tyre, dhe e dinë të gjithë në rreth ku kemi jetuar”, ka thënë ai.
E derisa është përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të viktimave, dëshmitari ka thënë se babai i tij ishte i ngarkuar sa i përket anës psikike, sipas tij për shkak të keqtrajtimit në Kukës.
Ndërsa në fund të seancës, gjykatësi Zhilber Biti ka pasur disa pyetje sqaruese por seanca është transmetuar me përmbajte të redaktuar.
Në gjykimin kundër Pjetër Shalës deri tani janë dëgjuar katër dëshmitarë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, identiteti i të cilëve nuk është bërë i ditur për publikun.
Për katër ditë me radhë dëshmitarët kanë rrëfyer për pranverën e vitit 1998 kur sipas tyre një grup personash me uniformë të UÇK-së kishin shkuar në shtëpinë e tyre me kërkesën për dorëzimin e armëve.
Pas këtij rasti, dëshmitarët kanë thënë se familja e tyre është larguar nga ai fshat, ndërsa një vit më vonë, në kohën e bombardimeve të NATO-s ishin larguar për në Shqipëri.
Atje, sipas tyre, babai i tyre ishte kidnapuar dhe mbajtur pastaj për gati dy javë në një fabrikë metali në Kukës.
Në krejt këto, dëshmitarët kanë thënë se ishte i përfshirë Pjetër Shala, i cili aktualisht ndodhet në bankën e të akuzuarve.
Ai po qëndron në Hagë prej marsit të vitit 2021.
Sipas Speciales “Krimet për të cilat akuzohet z.Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999 kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës(Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.
Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill të atij viti, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Dëgjohet dëshmitari i katërt në gjykimin kundër Pjetër Shalës
Në Dhomat e Specializuara në Hagë ka filluar të dëgjohet dëshmitari i katërt i prokurorisë në gjykimin kundër Pjetër Shalës. Ai ka folur për ngjarjet që lidhen me babain e tij, për të cilin ka thënë se në vitin 1999 ishte kidnapuar dhe mbajtur në Kukës të Shqipërisë.
Dëshmitari që mban numrin 9 ka folur fillimisht në seancë private për të vazhduar pastaj të përgjigjet në pyetjet e prokurorisë.
“Në vitin 1998 është larguar familja nga aty. Arsyeja ishte se aty (fshati) disa persona kishin shkuar dhe kishin kërkuar babain që ta marrin me vete, t’i dorëzojë armët dhe ta marrin me vete”, ka thënë dëshmitari.
Ai ka thënë se nuk ishte prezent aty por për ngjarjen ka mësuar nga familja e tij.
Dëshmitari ka thënë se, në bazë të asaj çka i ka treguar nëna e tij, dy persona ishin futur në oborrin e shtëpisë dhe e kishin kërkuar babain e tyre.
Sipas tij, ata persona ishin dërguar nga shtabi i Jabllanicës.
Dëshmitari i mbrojtur ka thënë se më vonë e kanë e kanë kuptuar që në grupin e personave që po qëndroni jashtë shtëpisë ishte edhe Pjetër Shala, i cili sot është në bankën e të akuzuarit.
“Babai e ka mësuar këtë emër atje ku ishte në Shqipëri i kidnapuar, atje kishte mësuar këtë emër. Nga personi vet, ai i ka treguar, Pjetër Shala”, ka thënë dëshmitari.
Tutje, dëshmitari ka thënë se familja e tij ishte larguar nga Kosova për në Shqipëri, me fillimin e bombardimeve të NATO-s.
Ai ka thënë se atje, babai i tij ishte kidnapuar nga katër persona dhe njëri prej tyre ishte i njohur për vëllain e tij.
“Nga kidnapimi aty është njohur një person nga ata të katërt që kanë qenë, atë e ka njohur vëllai i madh, ndërsa personat e tjerë nuk janë njohur dhe është dërguar me një veturë të vogël para se me shku në Kukës, ka pasur kërcënime gjatë rrugës, kështu e kanë çuar më vonë në Kukës, atje ku ka qëndruar deri në ditën e lëshimit”, ka thënë ai.
Sipas dëshmitarit, babai i tij ishte kërcënuar me vrasje si dhe keqtrajtuar mizorisht në Kukës.
“Është kërcënuar me vrasje, se cili do ta bëjë nga ta, kështu që djemtë e kanë njohur njërin nga ju dhe bëjeni cili të doni, u ka thënë ai… Më ka treguar se është keqtrajtuar mizorisht atje. Ai ka treguar që e kanë rrahur, me shkopa gome, hekuri, druri, i kanë pre me brisk lëkurën, e kanë rrahur deri në alivanosje”, ka thënë ai.
Sipas tij, atë e kishin rrahur disa herë si dhe e kishin pyetur se kush janë spiunët.
“Po, gjithmonë Pjetër Shala e ka hapur bisedën me të dhe ka thënë pse e ke kërkuar diku tjetër atë që ta ka gjuajtur kafenë (ne kishim një lokal), unë isha ai që ta kam gjuajtur kafenë, ai vet e ka pranuar atë, i ka thënë unë isha ai që ta kam gjuajtur kafenë dhe unë isha ai që isha të shtëpia jote, se nuk dole jashtë kur erdha unë aty, ai vet e ka pranuar këtë”, ka thënë dëshmitari.
Gjatë pjesës së parë të seancës, dëshmitari ka folur për tri incidente në familjen e tij, e në të cilat e ka përfshirë Pjetër Shalën.
“Incidenti i parë është se Pjetër Shala, ai ia ka thënë vet babait, unë ta kam gjuajtur kafenë me revole. Shtëpia (incidenti) ka ndodhur në vitin 1998, ndërsa kafeja ka ndodhur në vitin 96”, ka thënë ai.
Pjetër Shala po e ndjek seancën nga qendra e paraburgimit, përmes video-lidhjes.
Ai po qëndron në Hagë prej marsit të vitit 2021.
Sipas Speciales “Krimet për të cilat akuzohet z.Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999 kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës(Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.
Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill të atij viti, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?