Përgjimet e Kusari-Lilës me Simiqin, Tahiri: Kërkojmë përgjegjësi nga kryeministri

(Lajm i përditësuar)


Përgjimet e Kusari-Lilës me Simiqin, Tahiri: Kërkojmë përgjegjësi nga kryeministri

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës po kërkon përgjegjësi nga ana e qeverisë, pas publikimit të disa përgjimeve, ku e përfshirë është shefja e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila.

Shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri, deklaroi se dorëheqja është më e pakta që duhet të ndodh.

Ai shtoi se temat të cilat janë trajtuar gjatë komunikimit të Kusari-Lilës dhe përfaqësuesve të Listës Serbe janë të interesit shtetëror dhe kanë të bëjnë me shkelje flagrante të ligjit.

Në konferencë për media, shefi i deputetëve të AAK-së kërkoi sqarime nga kryeministri, Albin Kurti.

“Përgjimet e sotshme janë shumë serioze, jo pse është publikuar një bisedë në mes të shefes së GP-së së LVV-së dhe Listës Srpska, por sepse aty shpërfaqet një marrëveshje e cila paska qenë një marrëveshje që nga dita e parë e kësaj qeverie, një marrëveshje sekrete në mes të Listës Srpska dhe Lëvizjes Vetëvendosje. E dyta, ajo që duhet fillimisht ta trajtojmë shumë serioz, është se temat të cilat janë diskutuar në këtë takim janë të interesit shtetëror dhe se shkeljet janë flagrante, si në raport me ligjin ashtu edhe me moralin politik. Në këtë aspekt ajo që ne kërkojmë si Aleancë për Ardhmërinë e Kosovës, është përgjegjësi të drejtpërdrejt nga kryeministri, i cili duhet të jap sqarimet e menjëhershme në raport me këto tema”, deklaroi ai.

Më tej, Tahiri shtoi se përgjimet flasin edhe për rrymën në veri dhe për çështjen e veteranëve.

“Në këtë përgjim, shpërfaqet diskutimi rreth rrymës në veriun e Kosovës. Ju e dini që aspekti i rrymës dhe energjisë, është tema më korruptive, e cila tash e saj muaj trajtohet në diskursin publik dhe tanimë dihet se është edhe në një hetim. E dyta, për AAK është e paimagjinueshme që në një takim të tillë të diskutohet koordinimi për çështjen e veteranëve, e cila është paralajmëruar se do të dal. E treta, e bën edhe më problematike fakti që në një varfëri të skaksjhme është diskutuar që të stopohet trusti, i cili është diskutuar si kauzë me muaj të tërë. Dhe e fundit, shihet shumë qartë që ky rol relacion ka qenë relacion sekret në mes të dyja subjekteve politike. Ndërsa, është trumbetuar përgjatë gjithë kohës që nuk ka koalicion mes LVV-së dhe Republika Srpska”, shtoi Tahiri.

Shefi i deputetëve të AAK-së tha para gazetarëve se qeveria aktuale nuk ka moral politik dhe akuzat e tyre ndaj qeverive të kaluara, kanë qenë mashtrim.

“A jeni duke e parë se gjatë gjithë kohës akuzat të cilat janë drejtuara ndaj subjekteve politike, drejtpërdrejt nga ne, kanë qenë mashtrim, goditje e ultë për të cilat kryeministri dhe kjo qeveri duhet të jap përgjegjësi. Dorëheqja është më e pakta që duhet të ndodhë, për shkak se ky është një kulminacion i cili tregon fytyrën e vërtetë të kësaj qeverie”, përfundoi Tahiri.

Gjatë ditës janë publikuar disa përgjime ku e përfshirë është Kusari-Lila dhe anëtari i Listës Serbe, Slavko Simiq. /kp


Musliu: Lëvizja Vetëvendosje koordinohet me Listën Serbe kundër shtetit të Kosovës

Deputetja nga radhët e PDK-së, Ganimete Musliu, ka reaguar nga foltorja e Kuvendit, pas përgjimeve të publikuara ku Shefja e grupit parlamentar të LVV-së flet me me Slavko Simiq të Listës Serbe.

Musliu tha se Lëvizja Vetëvendosje koordinohet me Listën Serbe kundër shtetit të Kosovës.

“Nga videot që i dëgjuam po del që me shumë koordinim, Lëvizja Vetëvendosje koordinohet me Listën Serbe kundër shtetit të Kosovës, me Raidoiçiqin, qe na i keni honger kryet këtu. A ju kujtohet juve çka keni bo në këtë kuvend? Mos e ulni kryet sot. Seriozisht mos kofsha në lëkurën e juaj. A me koordinim a po koordinim po ju pyes. Sepse këtu po del që me koordinim me Listën Serbe jeni çu kundër krejt atyre njerëzve që kanë bo diçka për këtë vend, qofshin ata vendor apo ndërkombëtar”, deklaroi Musliu.

“Nëse me dikë duhet me u koordinu, kjo duhet bërë me qytetarët e Republikës së Kosovës, jo me Listën Serbe, jo me Radoiçiqin. Me Radoiçiqin kundër Kosovës. Marre ju koftë”, përfundoi Musliu.


Tahiri: Sot po fillon një etapë e re e bashkëpunimit të VV-së me Milan Radojiçiqin

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka thënë se sot po fillon një e etapë e re e bashkëpunimit të Lëvizjes Vetëvendosje me kriminelin Milan Radojiçiq, i cili është edhe nënkryetar i Listës Serbe.

Tahiri reagoi në Kuvendin e Kosovës, pas publikimit në medie të disa përgjimeve mes shefes së Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila me anëtarin e Listës Serbe, Slavko Simiq.

Tahiri i ka bërë thirrje Prokurorisë së shtetit të merret me personat që kanë kontakt me Radojçiqin.

“I bëjë thirrje Prokurorisë së Shtetit që të ndërmarrë hapa në raport me të gjithë ata njerëz që janë në komunikim me njerëz që janë ndjekje nga Prokuroria e Shtetit dhe listën e zezë të ShBA-së. Sot me gjasë po fillon një etapë e re e bashkëpunimit të Lëvizjes Vetëvendosje me Milan Radojçiq”, tha ai.


Krasniqi: Albin, me Milanin Radojçiqin, a me koordinim a pa koordinim?

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka reaguar pas publikimit të përgjimeve në të cilat dëgjohet shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, me Slavko Simic të Listës Serbe.

Në atë përgjim, vërtetohen takimet dhe koordinimet që Kusari-Lila i ka bërë në emër të Vetëvendosjes me Listën Serbe për shumë tema në Kosovë, nga veteranët e UÇK-së, zgedhjet, energjinë e shumçka tjetër.

“Albin, me Milanin Radojçiqin, a me koordinim a pa koordinim?”, ka shkruar Krasniqi në “Facebook”.

Kjo ishte vetëm pjesa e parë e publikimit të përgjimit nga Nacionale, ndërkaq, pjesët e tjera, të cilat lidhin edhe të tjerë akterë, janë paralajmëruar që të publikohen ditëve në vijim.

NDIQNI PJESËT MË INTERESANTE TË PROGRAMIT TË RTV21, DUKE BËRË LIKE KËTË FAQE – 21 MEDIA

Back to top button