Përleshje masive-Plagoset një person dhe lëndohen tre të tjerë nga mjetet e forta

Një person është plagosur nga arma e zjarrit dhe tre të tjerë kanë marrë lëndime të rënda trupore nga mjetet e forta sot rreth orës 01:20 në rrugën “Lidhja e Pejës”, në Prishtinë.

Lajmin për portalin rtv21.tv e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

Ajo ka thënë se menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen.

“Bazuar në informacionet e deritanishme raportohet për katër persona të lënduar, njëri prej të cilëve dyshohet të ketë marrë lëndime nga arma e zjarrit ndërsa tre të tjerë kanë pësuar lëndime gjatë përleshjes ku dyshohet të jenë përdorë mjete të forta. Hetuesit policor në koordinim me prokurorinë, ndërmarrin veprimet hetimore për ndriçimin e plotë të rastit. Deri tani nga ana e policisë janë identifikuar, arrestuar dhe dërguar në majtje 13 persona të cilët dyshohet të jenë të përfshirë në këtë rast që është cilësuar si vrasje në tentativë”, ka thënë Ahmeti./21Media

Back to top button