Përmes protestës kërkohet shkarkimi i profesorit që u denoncua për ngacmim seksual

Lëvizja Feministe Studentore së bashku me studentet e studentët aktivistë kanë protestuar sot para rektoratit të Universitetit të Prishtinës duke kërkuar përjashtimin e profesorit Xhevat Krasniqi të denoncuar për ngacmim seksual, si dhe shkarkimin e anëtarëve të Këshillit të Etikës për mos reagim ndaj këtij rasti.

Ata kanë vendosur edhe pankarta me mbishkrime duke e cituar profesorin: “Femrën kur e mbulon me jorgan i humb bukuria”, “ Të dyja i keni ly buzët njëjtë”.

Anita Mjeku aktiviste nga Lëvizja Feministe tha se 27 studentet e Fakultetit të Mjekësisë e kanë denoncuar profesorin Xhevat Krasniqi për ngacmim seksual por se nuk ka pasur asnjë reagim nga senati i UP-së.

Mjeku ka theksuar se sot do të qëndrojnë deri në orën 16:00 dhe se do të vazhdojnë edhe ditëve tjera deri sa të shkarkohet profesori Krasniqi.

“Ne para një muaj prej kur 27 studentët e fakultetit të mjekësisë e kanë denoncuar profesorin Xhevat Krasniqi për ngacmim seksual, prej asaj kohe nuk kemi asnjë reagim nga këshilli i etikës, as prej senatit të Universitetit të Prishtinës. Tre javë pas denoncimit d.m.th javën e kaluar këshilli i etikës janë mbledhur për herë të parë për të diskutuar për rastin sipas rregullores për parandalim dhe mbrojtje për ngacmim seksual dhe ata duhet të intervistojnë palët brenda afatit pesë ditorë. Ata nuk e kanë bërë, përveç që e kanë shkel rregulloren dhe kjo nuk është hera e parë që i neglizhon rastet dhe sidomos kur është në çështje siguria vajzave dhe grave…. Jemi këtu prej orës 08:00 të mëngjesit dhe kemi me qëndruar deri në orën 16:00 kur të përfundohet orari i fakultetit. Kërkesa jonë kryesore është përjashtimi i profesorit Xhevat Krasniqit nga UP-ja dhe shkarkimi i anëtarëve të Këshillit të Etikës….. Deri sot nuk kemi asnjë reagim as nga rektori si udhëheqës i senatit, ai ka mundur me thirr mbledhje dhe me marrë vendim për profesorin në fjalë, ne kemi pas disa aksione simbolike dhe i kemi adresuar kërkesat tona por nuk janë marrë parasysh…… Rezistencën tonë kemi me vazhduar edhe në ditët në vazhdim deri sa i njëjti të përjashtohet”, tha Mjeku.

Ndërkaq, studentet aktiviste bashkë me Lëvizjen Feministe Studentore do të vazhdojnë të qëndrojë deri në orën 16:00 para rektoratit deri në përfundimin e orarit të Universitetit.

Back to top button