Përshkallëzohet shkëmbim zjarri në Gazë

 

Shkëmbimi vdekjeprurës i zjarrit midis militantëve palestinezë dhe ushtrisë izraelite në Rripin e Gazës është përshkallëzuar ndjeshëm, për çfarë Kombet e Bashkuara i druhen një “lufte në shkallë të gjerë“.

Militantët palestinezë të Hamasit kanë hedhur mbi 1,000 raketa brenda 38 orësh, shumicën në Tel Aviv, thanë sot autoritetet izraelite. Izraeli ka kryer qindra sulme ajrore, duke shkatërruar dy blloqe ndërtesash në Gazë, të martën dhe të mërkurën.

Së paku 53 palestinezë dhe gjashtë izraelitë janë vrarë që nga e hëna. Viktimat përfshijnë 14 fëmijë palestinezë.

“Situata po përshkallëzohet drejt një lufte në shkallë të gjerë”, tha i dërguari i Kombeve të Bashkuara për paqe në Lindjen e Mesme, Tor Wennesland.

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, tha se është “shumë i shqetësuar” nga dhuna e vazhdueshme” dhe kërkoi përpjekje të shtuara për rikthimin e paqes.

Dhuna vjen pas disa javë tensionesh, të shkaktuara nga konfrontimet midis policisë izraelite dhe protestuesve palestinezë në kompleksin e Xhamisë Al-Aqsa në Jerusalemin Lindor, që është një vend i shenjtë si për myslimanët, ashtu edhe për hebrenjtë. Protesta të dhunshme ka pasur edhe në Bregun Perëndimor, si dhe në qytete të tjera izraelite me popullsi të madhe arabe.

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price, tha se Izraeli ka të drejtë të mbrohet, por shtoi se populli palestinez gjithashtu ka të drejtë në siguri.

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Benny Gantz, tha se sulmet izraelite janë “vetëm fillimi”. “Organizatat e terrorizmit janë goditur rëndë dhe do të vazhdojnë të goditen, për shkak të vendimit të tyre për të goditur Izraelin. Ne do ta kthejmë paqen dhe qetësinë afatgjate”, tha ai.

“Nëse Izraeli dëshiron ta përshkallëzojë situatën, ne jemi të gatshëm”, tha nga ana tjetër Ismail Haniyeh, udhëheqës i Hamasit, grupit militant që kontrollon Rripin e Gazës. “Nëse Izraeli do të ndalet, ne po ashtu jemi të gatshëm”, shtoi ai./21Media

Back to top button