Kurti: Projektin për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” do ta trajtojmë me seriozitet

 

Nën kryesimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, u mbajt sot mbledhja e parë e Komitetit Ndërministror për koordinimin e procesit, përzgjedhjen e projektit dhe monitorimin e procesit të implementimit të projektit për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz .

Gjatë fjalës së tij, Kurti tha se qeveria ka vendosur që projektin për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” ta trajtojë në nivelin e seriozitetit që e meriton, në nivelin më të lartë. Ai theksoi se ky projekt do të realizohet në mënyrë profesionale, transparente, gjithëpërfshirëse dhe me integritet të lartë politik.

“Do të sigurohemi që ekspertiza më e mirë kombëtare dhe ndërkombëtare të jetë e angazhuar në hartimin dhe zbatimin e projektit për Kompleksin Memorial “Adem Jashari”. Kjo sepse, siç specifikohet edhe në Ligj: “Kompleksi Memorial Adem Jashari në Prekaz ka rëndësi ontologjike, antropologjike, historike, kulturore e qytetare për Skenderajn, Drenicën, Kosovën dhe tërë Kombin Shqiptar”, u shpreh kryeministri Kurti.

Komiteti Ndërministror për koordinimin e procesit, përzgjedhjen e projektit dhe monitorimin e procesit të implementimit të projektit për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, përbëhet nga: Sh. T. Albin Kurti, Kryeministër i Republikës së Kosovës, Hajrulla Çeku, Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Liburn Aliu, Ministër i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Rozeta Hajdari, Ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Hekuran Murati, Ministër i Financave, Punës dhe Transfereve, Bekim Jashari, Kryetar i Komunës së Skenderajt, Emin Lati, përfaqësues nga OVL e UÇK-së, drejtori i Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës, drejtori i Muzeut të Kosovës, drejtori i Institutit të Historisë, drejtori i Institutit Albanologjik, si dhe Arbër Sadiki, përfaqësues nga Shoqata e Arkitektëve./21Media

Back to top button