“Pesë stinët e armikut të popullit” do të shfaqet në Lyon të Francës

Shfaqja “Pesë stinët e armikut të popullit” e regjisores Blerta Neziraj, do të shfaqet në Lyon, në kuadër të festivalit të mirënjohur ndërkombëtar Sens Interdits, në kuadër të programit “Theatre de l’urgence”.
E shkruar nga Jeton Neziraj, shfaqja do të ketë dy prezentime  në teatrin Théâtre de La Renaissance në Oullins, me datë 23 (ora 21:00) dhe 24 tetor (ora 15:00). Shfaqja jepet në gjuhën shqipe, me titra në gjuhën frenge dhe angleze.
Në shfaqje luajnë aktorët e mirënjohur nga Kosova: Armend Smajli, Shpetim Selmani, Egzona Ademi, Kushtrim Qerimi, Afrim Muçaj e Verona Koxha, kurse muzicientë jan: Drin Tashi, Tomor Kuçi, e Arbër Salihu. Skenografinë dhe kostumet i ka realizuar M. Nurullah Tuncer, muzikën e ka komponuar Irena Popovic- Dragovic, kurse oreografinë Gjergj Prevazi.
Shfaqja flet për Prishtinën e pasluftës, e cila e administruar nga UN-i, po kërcënohej nga ndërtuesit e fuqishëm ilegalë të cilët, në kundërshtim me të gjitha rregullat urbanistike, po ndërtonin brutalisht në çdo cep të saj. UN-i, në emër të politikave neoliberale të tregut, po e toleronte dhe po i krijonte terren të favorshëm këtij shkatërrimi. Por, në këtë proces ishin të përfshirë po ashtu edhe shumë prodhues të materialeve ndërtimore nga vendet tjera të Evropës, të cilët kishin interes nga ky “rekonstruktim i shpejtë”.
PESË STINËT E ARMIKUT TË POPULLIT, flet për “heroin që komprometohet nga shumica” dhe për “përgjegjësinë e shumicës, si armike e të vërtetës dhe lirisë” (Ibsen, përmes Stockmann). Por kjo shfaqje na flet edhe për hipokrizinë e misioneve të paqes të UN-it, të cilat, në emër të stabilitetit politik, në emër të paqes, zhvillimit e të rikonstruktimit, mbyllin sytë përballë dr. Stokmanëve, dhe rrjedhimisht, bëhen pjesëmarrës në vrasjen e tyre./21Media

Back to top button