Petersen: Kosova të punojë për interesin e qytetarëve
Ai theksoi se Kosova duhet ta formojë një Qeveri stabile
Ish-kryeadministratori i Kosovës, Soren Jessen-Petersen, gjatë një interviste ka thënë se ka mbetur shumë i zhgënjyer që edhe 10 vjetëve pas pavarësisë ende flitet për problemet e njëjta: Korrupsionin, sundimin e ligjit, papunësinë, etj.
Duke folur për Demarkacionin dhe Asociacionin, diplomati danez shprehet se Kosova duhet ta dëgjojë SHBA-në për Marrëveshjen e Kufirit me Malin e Zi, ndërsa për Asociacionin ka thënë se e ka sqaruar shumë mirë ish-presidenti Marti Ahtisari në Planin e tij për Kosovën.
Në një intervistë për “Zërin” ai ka folur edhe për fillimin e punës së Gjykatës Speciale, ku ka pranuar që ngritja e aktakuzave nga ana e saj mund të shkaktojnë tensione në vend, por vendimet e Gjykatës duhet të pranohen nga një shtet demokratik.
Petersen, që aktualisht është profesor në universitetin e Bolonjës “John Hopkins”, thotë se Kosova tani duhet ta formojë një Qeveri stabile, e cila më në fund do të punojë për interesin e qytetarëve të saj dhe jo për interesin personal dhe partiak.