Petkoviq i reagon Bislimit për 5 kriteret për Asociacionin: Është gënjeshtër

(Lajm i përditësuar)

Pas deklaratës se në Bruksel ka pas dakordim të plotë për pesë kritere mbi të cilat do të shihet drafti i statutit për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe ka reaguar drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.

Sipas Petkoviqit, pesë kriteret as nuk janë përmendur fare në Bruksel.

“Një gënjeshtër e pastër nga Bislimi. Në Bruksel nuk u përmend asnjë fjalë për “pesë kriteret për Asociacionin” për të cilat ai flet sot. U fol për Statutin e Asociacionit dhe Ekipin Menaxhues”, ka shkruar Petkoviq në Twitter teksa ka shtuar se po i “sajon sërish gjërat, duket se ka dëgjuar atë që ka dashur, jo atë që thuhej”.

Bislimi: Janë pesë kritere për statutin e Asociacionit

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka përmendur “pesë siguresa” që vetëmenaxhimi nuk është “Zajednicë”. Ai ka deklaruar se ka dakordim të plotë në Bruksel që përmes këtyre kritereve të shihet se a është i pranueshëm si bazë për diskutim drafti që propozohet. Bislimi, në raportimin para Komisionit për Punë të Jashtme, shtoi se gjatë muajit mars janë 722 vetura që janë konvertuar në targa “RKS”.

Bislimi tha se janë pesë kritere që sipas tij vetëmenaxhimi, i përmendur në marrëveshjen e arritur në Bruksel e më pas në aneksin për zbatimin e tij në Ohër, nuk ka të bëjë me Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

“Ka dakordim të plotë në Bruksel që do të jenë pesë kritere përmes të cilëve do të shihet se a është i pranueshëm, përgjithësisht si bazë për diskutim, propozimi apo drafti që propozohet. E para është, a kërkon ky draft apo ky propozim, a sugjeron, insiston, a parasheh një shtresë të re të qeverisjes. Në rast se parasheh shtresë të re të qeverisjes nuk konsiderohet si i pranueshëm për diskutim të mëtejmë. 2. A nënkupton të drejta kolektive, në qoftë se po i merr epitetet e një drafti të papranueshëm. 3. Në ç’masë është në harmoni me marrëveshjet e dakorduara në vitin 2013 dhe në vitin 2015. 4. Në ç’masë është në harmoni me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015. 5. Në ç’masë është në harmoni me letrën që zonja Federica Mogherini i ka dërguar Qeverisë së Kosovës, ku tregon se çfarë kompetencash mund të ketë e çfarë jo, Asociacioni apo ky mekanizëm për implementim. Janë pesë siguresa të mjaftueshme që ky mekanizëm apo ky lloj vetëmenaxhimi nuk ka asgjë nga ajo që e kemi quajtur ‘Zajednicë’”, ka deklaruar Bislimi.

Bislimi: Vetmenaxhimi nuk ka asgjë të bëjë me Zajednicën

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka deklaruar se në dokumentin për personat e zhdukur me dhunë, është hequr një gjysmë fjali me kërkesë të palës kosovare. Ai para anëtarëve të Komisionit për Punë të Jashtme deklaroi se nuk ka pasur asnjë ndërhyrje të palës serbe.

“Në propozimin e fundit për dokumentin për personat e zhdukur me dhunë, është larguar vetëm një gjysmë fjali me kërkesë të palës kosovare. Nuk ka pasur asnjë ndërhyrje të palës serbe. Dokumenti do të bëhet publik, ne momentin kur dy liderët e aprovojnë”, ka shtuar ai.

Bislimi tha se nuk ka garanca që Serbia të ndalojë lobimin kundër Kosovës, por që kjo nënkupton shkelje të marrëveshjes.

Ai ka folur edhe për çështjen e asociacinit, për çka përsëriti që nuk ka të bëjë me Zajednicën.

“Vetmenaxhimi nuk ka asgjë të bëjë me atë që ne e kemi quajtur Zajednicë”, tha ai.

Bislimi ka njoftuar se gjatë muajit mars, mbi 700 vetura janë shndërruar në targa RKS.

“722 vetura në muajin prill nuk ka pasur shumë. Numri i tërësishëm nuk e kalon muajin 800”, ka njoftuar ai.

Sa i përket faturës së rrymës në veri, ai tha se energjia e shpenzuar në veri që nga viti 1999, ka një faturë prej 320 milionë euro.

“Ka tendencë që çdo gjë të përdoret për eskalim të situatës. Energjia e shpenzuar në veri, ka një faturë prej 320 milionë euro. Elektroserveri ka pasur një gatishmëri që disa muaj ta nënshkruaj kontratën, por nuk është lejuar nga politika serbe”, ka thënë ai në Komisionin për Punë të Jashtme.

Back to top button