Petkoviq: Të gjitha afatet nisin nga momenti kur Elektrosever merr licencën

Kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, tha se Prishtina ka refuzuar të flasë për energjetikën dhe se Beogradi e ka “detyruar” atë jo vetëm të flasë, por edhe të pajtohet për këtë çështje.
Udhërrëfyesi, sipas tij, përfshin një sërë hapash, afatesh dhe përgjegjësish për të dyja palët.
Sipas tij, të gjitha afatet nisin nga momenti kur Elektrosever merr licencën për furnizim.
“Elektrosever do të kryejë edhe shërbime të rëndësishme të shpërndarjes – ajo që kemi kërkuar dhe në të cilën kemi insistuar. Elektrosever do të kryejë shërbime të shpërndarjes, si: faturim, pagesa, mirëmbajtje e rrjetit dhe lidhje fizike e konsumatorëve. Kjo është shumë e rëndësishme, sepse do të thotë se kemi autonomi në furnizimin e veriut të ‘Kosovës dhe Metohisë’ me energji elektrike”, tha Petkoviq.
Ai tha se pas kësaj marrëveshjeje është hapur rruga edhe për bisedime për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshjen për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në vitin 2013, në kuadër të dialogut që ndërmjetëson BE-ja. Zbatimi i marrëveshjes në terren, megjithatë, ka ngecur./21Media

Back to top button