Petrit Loci tregon se si është situata me COVID-19 në Pejë

 

Drejtori i Shëndetësisë në qytetin e Pejës, Petrit Loci në një intervistë në “Bon Bon” në RTV21 foli për situatën me COVID-19 në këtë komunë. Loci thotë se situata me COVID-19 në këtë qytet vazhdon të jetë e njejtë ditët e fundit.

“Duhet të theksoj se në komunën e Pejës gjatë javës së fundit kemi pasur rritje të pacientëve që kanë shfaqur shqetësime apo simptoma nëpër qendrat shëndetësore afër vendbanimeve të tyre, të cilët i kemi referuar në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës, saktësisht në repartin infektiv për t’u ekzaminuar në hollësi dhe për të parë nëse kemi të bëjmë me COVID-19 apo jo.”, deklaroi Loci në “Bon Bon” në RTV21.

Sipas Locit, në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës janë të hospitalizuar 55 pacientë, prej të cilëve 38 pacientë janë në oksigjenoterapi dhe 13 prej tyre janë në gjendje më të rëndë shëndetësore.

“Gjithashtu edhe në Qendrën numër 5 në Fidanishte, e cila nga komuna e Pejës është vendosur si qendër e posaçme për trajtimin e pacientëve me COVID-19, pra për aplikim të terapisë që përshkruhet nga ana e specialistëve të Spitalit të Përgjithshëm, kemi një numër të përditshëm mbi 100 pacientë që trajtohen në këtë qendër, duke marrë terapi ambulantore dhe duke e vazhduar vetizozlimin në shtëpitë e tyre.”, deklaroi Loci.

Drejtori i Shëndetësisë në Pejë njofton se sot janë licencuar edhe disa laboratore private për kryerjen e testeve për COVID-19, e që sipas tij kjo do të ndikojë në uljen e çmimit për testim.

Sa i përket respektimit të masave, Loci konsideron se javët e fundit është vërejtur një vetëdijësim i njerëzve./21Media

Back to top button