Petrovci e Nikçi bashkë për “MUSLIMANIN”, sonte do të jetë ditë emblematike

Tragjikomedia “MUSLIMANI” nga sonte do të fillojë të shfaqet në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Në këtë shfaqje, e cila prek temen e martesave ndërmjet besimit të ndryshëm, krah artistit Enver Petrovci luan Vlora Nikçi.
Aktorja për rtv21.tv ka deklaruar se rrugëtimi i kësaj shfaqjeje dhe krijimi i saj për të do të mbesin përvojë e fuqishme artistike. Nikçi ka theksuar se Petrovci ia ka bërë punën më të lehtë në shfaqje.
“Shfaqja është temë aktuale e shkruar nga prof. Petrovci dhe në regjinë e tij. Për mua është ndjenjë e veçantë të luajë përballë profesorit dhe artistit të madh Enver Petrovcit. Është gjë e bukur që profesorët janë te tille edhe kur nuk duan. Andaj, me mënyrën e tij të hollë të shpjegimit të gjërave të mëdha prof. Petrovci ma bëri të lehtë punën në këtë shfaqje.”, ka bërë të ditur aktorja për rtv21.tv
Ajo është shprehur se sonte për të do të jetë ditë emblematike.
“Meqë, profesioni yne nuk ka shterrim, atëherë ishte një rast i mirë për të mësuar ende. Sonte për mua do të jetë ditë emblematike, lojë me një artist të madh të skenës sonë e me gjerë.”, ka shtuar ajo.
Kjo shfaqje artistin Enver Petrovci, pas shumë vjetësh e kthen në skenën e Teatrin Kombëtar.
Tragjikomedia “MUSLIMANI”, me tekst dhe regji të Enver Petrovcit, do të fillojë të shfaqet nga sonte (21.03.2022) në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Premiera e shfaqjes do të jepet sonte në orën 20:00, ndërsa repriza e parë do të jepet nesër, po ashtu nga ora 20:00./21Media

Back to top button