Pfizer kërkon miratimin e FDA-së për përdorimin e vaksinës COVID-19 për fëmijët 5-11 vjeç

Kompania Pfizer ka kërkuar nga Qeveria amerikane të lejojë përdorimin e vaksinës së saj kundër COVID-19 tek fëmijët e moshës 5 deri në 11 vjeç, dhe nëse rregullatorët bien dakord, imunizimet mund të fillojnë brenda disa javësh.
Shumë prindër dhe pediatër kanë kërkuar mbrojtje për fëmijët nën 12 vjeç, kufiri i tanishëm i moshës së lejuar për të marrë vaksinën e Pfizer-it dhe partnerit të saj gjerman BioNTech.
Pfizeri ka njoftuar në Twitter se kishte paraqitur zyrtarisht kërkesën për miratim në Administratën e Ushqimit dhe Barnave, FDA.
FDA do të duhet të vendosë nëse ka prova të mjaftueshme se vaksinat janë të sigurta dhe veprojnë për të mbrojtur fëmijët më të vegjël, siç bëjnë për adoleshentët dhe të rriturit. Një panel i pavarur ekspertësh do të debatojë mbi provat më 26 tetor.
Një ndryshim i madh – Pfizer ka thënë se hulumtimet tregojnë se fëmijët më të vegjël, duhet të marrin vetëm një të tretën e dozës së vaksinës, që marrin tani grupmoshat e tjera.
Sipas provave, pas dozës së dytë, fëmijët 5 deri në 11 vjeç, zhvilluan të njëjtin nivel anti-trupash sa adoleshentët dhe të rinjtë, që marrin doza të plota.
Pfizer ka kryer prova me dozën më të ulët të vaksinës tek 2 mijë e 268 vullnetarë të grupmoshës 5 deri në 11 vjeç dhe ka theksuar se ajo nuk kishte efekte anësore serioze.
Për të shmangur ngatërresat me dozën e duhur për fëmijët, Pfizer po planifikon që flakonët që përmbajnë dozën më vogël të kenë mbishkrim të posaçëm për përdorim pediatrik.
Ndërsa fëmijët janë më pak të rrezikuar nga forma e rëndë e sëmundjes, ose vdekja, sesa më të moshuarit, COVID-19 ndonjëherë shkakton vdekje tek fëmijët dhe rastet tek të rinjtë janë rritur me shpejtësi, ndërsa varianti Delta është bërë dominues në SHBA.

Back to top button