Pfizer mund të ruhet në frigorifer deri në një muaj

 

 

Agjencia Evropiane e Ilaçeve ka thënë se vaksina kundër koronavirusit e kompanisë Pfizer, mund të ruhet në temperaturë të frigoriferit më gjatë sesa është rekomanduar paraprakisht.

Agjencia Evropiane e Ilaçeve ka thënë se sapo të shkrihen vaksinat – kur janë të pahapura – mund të mbahen nëpër frigoriferë deri në një muaj. Kufizimi aktual është vetëm pesë ditë.

Kjo rritje e fleksibilitetit pritet të ketë ndikim të madh në rritje të shkallës së vaksinimit në Bashkimin Evropian.

Nevoja për transport dhe ruajtje në temperatura tejet të ulëta ka qenë një nga mangësitë e mëdha të vaksinës së kompanisë Pfizer.

Kërkesat specifike për ruajtje të kësaj vaksine e kanë bërë më të vështirë dhënien e tyre në disa vende të botës.

Në muajin shkurt, Shtetet e Bashkuara kanë miratuar ruajtjen dhe transportimin e vaksinës së kompanisë Pfizer në temperature prej -15 deri në -25 gradë Celsius për gati dy javë, për dallim nga -80 deri në -60 gradë Celsius sa kërkohet zakonisht.

Më herët gjatë këtij muaji, Kanada ka autorizuar dhënien e vaksinës së kompanisë Pfizer edhe për fëmijët e moshës 12-15 vjeç, duke u kthyer në shtetin e parë që ka bërë një gjë të tillë për këtë kategori.

Numri i personave të infektuar në nivel botëror që nga fillimi i pandemisë ka shkuar në mbi 164 milionë. Nga ta mbi 143 milionë janë shëruar, teksa rreth 3 milionë e 400 mijë kanë vdekur si pasojë e komplikimeve me virusin. Raste aktive mbesin mbi 16 milionë e 600 mijë./21Media

Back to top button