Plagoset një person në Mitrovicë

Një person është plagosur sot me armë zjarri në rrugën “Dëshmorët e Kombit” në Mitrovicë.
Avni Zahiti, zëdhënës i Policisë së Kosovës për Rajonin e Mitrovicës ka thënë për rtv21 se 40 vjeçari është dërguar për tretman mjekësor në QKUK, në Prishtinë.
“Sot rreth orës 11:00, Policia në Mitrovicën e Jugut, ka pranuar informatën për të shtëna me arme zjarri në rrugën Dëshmorët e Kombit ’. Me të pranuar informatën, në vendin e ngjarjes me urgjencë kanë dalë të gjitha njësitet e nevojshme policore. Nga informatat e para nga vendi i ngjarjes është kuptuar se si pasojë e të shtënave nga arma e zjarrit, është plagosur viktima mashkull i moshës 40 vjeçar, i cili me urgjencë është dërguar në Spitalin Rajonal në Mitrovicë, më pas është dërguar në QKUK- Prishtinë”, ka thënë Zahiti.
Tutje ai ka treguar se nga ekzaminimet e kryera në vendin e ngjarjes, hetuesit e krim-teknikës si prova materiale kanë gjetur një gëzhojë, një predhë të plumbit, dhe një armë e llojit pistoletë, e cila dyshohet të jetë përdorur nga i dyshuari.
Lidhur me rastin është arrestuar një person i dyshuar, të cilit me vendim të prokurorit i është shqiptuar masa e ndalimit për 48 orë.
“Rrjedha hetimore është duke vazhduar drejt zbardhjes së të gjitha rrethanave që ndërlidhen me rastin e veprës penale Vrasje e rëndë në tentativë”, ka thënë Zahiti./21Media

Back to top button