Plagosje në Gjakovë, Policia deklarohet për rastin

Pas një mosmarrëveshje verbale një burrë është qëlluar me armë zjarri, mbrëmë në fshatin Dujakë të Gjakovës.
Lajmin për portalin rtv21.tv e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezi.
“Rreth orës 21:18 Policia është njoftuar se viktima (M/K) lindur në vitin 1978 kishte kërkuar ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal të Gjakovës për shkak të plagës së shkaktuar nga arma e zjarrit”, ka thënë Elezi.
Sipas Policisë i dyshuari SH. K. është arrestuar.
“Në lidhje me këtë rast, Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë, ka ndërmarr veprimet e nevojshme operative dhe hetimore dhe menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes (fshati Dujakë, Komuna e Gjakovës) ku dhe është arrestuar i dyshuari SH. K. (M/K) i lindur në vitin 1978 i cili dyshohet që pas një mosmarrëveshje që kishte pasur me viktimën e kishte qëlluar atë me armë zjarri”, ka thënë ai.
Nga i dyshuari është sekuestruar arma pistoletë e kalibrit 7.62mm e cila dyshohet të jetë përdorur në rast, dhe 6 copë fishekë të kalibrit 7.62mm
Me urdhër kontrollin e lëshuar nga Gjykata në vendbanimin e të dyshuarit po ashtu është sekuestruar si provë materiale edhe një karikator dhe 8 copë fishkë të tjerë të kalibrit 7.62mm.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit pas përfundimit të procedurave policore, personi i arrestuar është ndaluar për 48 orë në ndalim policor./21Media

Back to top button