Plani i parë i Kurtit, vaksinimi i së paku 60% të popullatës

 

 

Kandidati për kryeministër i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka prezantuar programin e tij qeverisës, dhe kandidatët për deputetë për zgjedhjet e 14 shkurtit.

Kurti ka thënë se ai është bartës i listës së VV-së.

“Këshilli i VV-së më nominoi si kandidatin për kryeministër të Kosovës nga VV në këto zgjedhje. Është ndër dhe përgjegjësi ta përmbush këtë vullnet të shprehur në mënyrë demokratike. Bartës i listës jam unë, numër 2 është Vjosa Osmani, numër 3 Glauk Konjufca”, ka thënë Kurti.

Kurti ka thënë se kryeprioritet kanë kthimin në normalitet, në rast se vihet sërish në krye të qeverisë. Ai ka thënë së pandemia COVID-19 ka shkaktuar kriza të shumta, dhe që për këtë kanë një plan të veçantë.

Ai ka thënë se meqë ishte në front të luftimit të pandemisë kur u shfaq ajo, e di më mirë se çka duhet vepruar menjëherë.

“Masat e veprimit të menjëhershëm do të jenë: vaksinimi i së paku 60 për qind të popullatës, sigurimit të qëndrueshëm të barnave dhe testeve, trajnimi i vazhdueshëm i stafit shëndetësor, komunikim transparent dhe i dendur me qytetarë. Krejt bashkë ecim drejt 14 shkurtit, sfida është e madhe por vullneti është më i madh. Duam ta nxjerrim Kosovën nga kriza e shumëfishtë. Ka rënie në ekonomi, vende të humbura të punës, kthimi i jetës në normalitet është prioriteti i yni në vitin e parë të qeverisjes. Synojmë një ekonomi që del nga pandemia e shëruar edhe nga shumë sëmundje tjera që e kanë përcjellur deri tani”, ka thënë Kurti gjatë prezantimit.

Kurti ka folur edhe për planet në fushat e tjera ku të dytën e renditi ekonominë dhe këndelljen e saj.

“Ka rënie të ndjeshme të prodhimit, vende të humbura të punës dhe rritje të numrit të familjeve në që kanë përfunduar në varfëri. Kthimi i normalitet është kryeprioriteti ynë. Përgatitja e të gjithë neve për një mënyrë të re të të bërit biznes”, ka theksuar ai.

I pari i vetëvendosjes ka thënë se do të shërojnë ekonominë që del nga pandemia, por e cila, sipas tij, ka pasë edhe shumë sëmundje të tjera.

Në këtë drejtim, Kurti ka thënë se theks të veçantë do të vë edhe te gratë duke synuar punësimin dhe mbështetje aktive për ndërmarrësi, si dhe biznese ku pronare janë gratë.

Tutje ai ka treguar se në programin e tyre qeverisës pushimi i lehonisë do të jetë 12 muaj dhe se të dy prindërit do të kenë pushimin e lehonisë.

“Do të punojmë pa ndërprerë, zotohem për këtë. Çdo vend pune do të jetë me kontratë, do të shtojmë inspektorët nëpër punë. Paga minimale do të rritet në 250, pushimi i lehonisë do të jetë 12 muaj dhe shteti do të jetë pjesëmarrës për pagesë dhe këtë mundësi do ta kenë të dy prindërit”, ka thënë Kurti, duke shtuar se nënat që janë të papuna, në 6 muajt e parë të lehonisë do të paguhen me nga 250 euro./21Media

Back to top button