‘Plisat’ marrin të gjitha fanellat e klubit të Prishtinës

Humbja nga Ballkani si dhe rezultatet e dobëta të Prishtinës në këtë edicion garues të Superligës së Kosovës kanë ngjallur reagimin e ashpër të grupit të tifozëve të kësaj skuadre të njohur si “Plisat”.
Pas ndeshjes Prishtina-Ballkani, ata janë futur në zhveshtore dhe kanë marrë të gjitha fanellat e klubit.
Në një postim në Facebook ”Plisat” ata kanë bërë të ditur se ky veprim vjen si pasojë e paraqitjeve jo të mira të lojtarëve në fushë si dhe neglizhencën e treguar nga drejtuesit e klubit.

”KF Prishtina sivjet feston 100 vjetorin e saj. Historia një shekullore asesi nuk guxon të përlyhet, e sidomos në këtë mënyrë. Plisat dhe gjithë simpatizuesit e klubit të zemrës, Prishtinës, nuk i’a kanë borxh askujt të jenë dëshmitarë të një nënçmimi kaq të dukshëm ndaj emrit Prishtinë, ngjyrave bardh e kaltër, e fanellës me emblemën legjendare. Frustrimi i tifozëve asnjëherë s’ka të bëjë me largimin e synimeve nga titulli, sepse dëshmi për këtë kemi periudhën 2013-2021 ku pa as një titull të fituar, nuk lamë vend pa shkelur në Kosovë, vetëm të jemi pranë saj. Por, neglizhimi i menaxhimit të klubit, mosangazhimi total i lojtarëve në fushë është pika jonë e dobët, ajo që nuk mund ta falim. Fajtori nuk na intereson, Zgjidhja ju përket juve, Ne duam klub me dinjitet, Përndryshe, këto fanella nuk përlyhen. Pamje nga dita e sotme pas ndeshjes KF Prishtina – Ballkani. Janë marrë gjitha fanellat e klubit nga zhveshtoret. 100 vjet KF Prishtinë! 35 vjet Plisat!”, thuhet në reagimin e grupit të tifozëve të njohur si ”Plisat”./21Media
Back to top button