Po bëhen analiza për legalizimin e kanabisit

 
Qeveria e Maqedonisë së Veriut po shtynë proceset drejt legalizimit të kanabisit. Grupi i punës qeveritar për përgatitjen e ndryshimeve për legalizimin dhe shfrytëzimin e përfitimeve mjekësore të kanabisit, definoi termet dekriminalizim, legalizim dhe depenalizim. Por çfarë nënkuptojnë këto ndryshime? Kryetari i shoqatës “Bilka” e tha troç, se me këtë legalizohet përdorimi i “barit”.
“Legalizimi i kanabisit nënkupton rregullimin e modelit ku legalisht do të mund të përdoret kanabisi për përdorim personal si dhe për mjekim, si dhe e gjitha kjo si do të mund të bëhet në anën e bizneseve”, deklaroi Janaki Mitrovski, shoqata “Bilka”
A do të thotë kjo që kanabisi do të mund të përdoret edhe në vendet publike?
“Modeli se si do të jetë ende nuk dihet. Mund të ju them se ne po angazhohemi që mos të jetë e dënueshme nëse përdoret në vendet publike”, tha më tej Mitrovski.
Nga Qeveria informojnë se dekriminlaizimi i nënkupton zhvendosjen e fokusit të politikave nga sistemi gjyqësor policor në sistemin shëndetësor-shoqëror.
“Dekriminalizimi i përdorimit të kanabisit nënkupton eliminimin e krimeve në lidhje me përdorimin e kanabisit dhe posedimin e kanabisit për përdorim personal. Dekriminalizimi nënkupton zhvendosjen e fokusit të politikave nga sistemi gjyqësor policor në sistemin shëndetësor-shoqëror”, deklaruan nga Qeveria.
Përgatitja e Ligji për legalizimin e kanabisit për përdorim personal dhe mjekësor, do të bazohet në përvojat e dhjetë vendeve të huaja të cilat kanë përvojë në këtë drejtim.
Në mbledhjen qeveritare të Grupit të punës për kanabis morën pjesë përfaqësues nga Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Brendshme, Kabineti i Kryeministrit, shoqata të toksikologëve, të pediatërve, Kuvendi i Studentëve të Fakultetit në Fakultetin e Farmacisë, Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut, HOPS – Opsione për Jetë të Shëndetshme Shkup, Koalicioni Margjinat, Shoqata Operacioni Çlirim, Shoqata për Kanabis dhe Politika të Gjelbra “Billka”./TV21

Back to top button