Po shqyrtohet mundësia e heqjes së vizave midis Kosovës dhe Tajlandës

Kosova është duke shqyrtuar mundësinë për heqjen e vizave me Tajlandën . Kështu bëri të ditur presidentja e Kosovës Vjosa Osmani
Ajo në një intervistë për “Bangkok Post” tha heqja e pengesave të vizave midis vendeve do të ishte hapi i radhës për t’i afruar të dyja vendet më pranë njëri-tjetrit. “Ne jemi duke diskutuar heqjen e regjimit të vizave në mënyrë që kosovarët të mund të vizitojnë Tajlandën pa marrë viza dhe tajlandezët të vizitojnë Kosovën dhe rajonin tonë në përgjithësi, në Evropën Juglindore, pa viza. Kjo do të ishte një marrëveshje dypalëshe e cila do të çonte në më shumë bashkëpunim dhe vizita nga Thais, të cilët gjithashtu do të fitojnë më shumë njohuri për Kosovën dhe anasjelltas”, tha ajo, përcjell portali rtv21.tv
Osmani po ashtu ftoi biznesmenët tajlandez të investojnë në Kosovë.
Ajo tha se ka potencial të fortë për zgjerim të gjerë ekonomik dhe mund të sigurojë një burim të ri investimesh për bizneset tajlandeze jashtë vendit.
Kosova dhe Tajlanda filluan marrëdhëniet diplomatike rreth një dekadë më parë pasi Tajlanda njohu pavarësinë e Kosovës. Të dy vendet ranë dakord të vendosin marrëdhënie diplomatike më 22 nëntor 2013./21Media

Back to top button