Pochettino arsyetohet për krizën e Chelseat: Kemi shumë lëndime

Mauricio Pochettino thotë se e kupton zhgënjimin e tifozëve të Chelseat me fillimin e dobët të sezonit, por thotë se skuadra e tij është e hendikepuar nga dëmtimet e shumë lojtarëve.

Argjentinasi gjithashtu ka deklaruar se pavarësisht nga këto rezultate jo të mira, ai nuk do ta ndryshojë mënyrën e tij të punës dhe lojës në fushë.

Forma e dobët e Chelseat vazhdoi me një barazim 0-0 me Bournemouthin të dielën, ndeshja e dytë radhazi në të cilën skuadra e Pochettinos nuk arriti të shënonte pasi humbi 1-0 ndaj Nottingham Forest në fillim të këtij muaji.

Chelsea ndodhet në vendin e 14-të në Premier Ligë me pesë pikë nga pesë ndeshje, pavarësisht se ka shpenzuar rreth 1 miliard euro në blerje të reja që kur pronësia e re e udhëhequr nga Todd Boehly dhe Clearlake Capital morën drejtimin e klubit në maj të vitit 2022.

“Mendoj se tifozët e dinë që nëse investoni shumë para, atëherë ka pritshmëri. Nëse nuk fiton, është normale që tifozët të mos jenë të lumtur. Ajo që mund t’u them tifozëve janë rrethanat, të cilat ne nuk mund t’i ndryshojmë. Ka shumë lojtarë të padisponueshëm.”, tha Pochettino.

Mbrojtësi Marc Cucurella, sulmuesi Noni Madueke dhe Moises Caicedo humbën ndeshjen e së dielës, duke iu bashkuar një liste të gjatë të lëndimeve që përfshin edhe treshen Reece James, Christopher Nkunku dhe Romeo Lavia.

“Ne kemi besim të jashtëzakonshëm, por fat të keq, sepse kemi 12 lojtarë të lënduar, plus më pas Cucurella, Madueke dhe Caicedo sot”, shtoi Pochettino.

“A do të qaj apo do të ankohem? Jo. Më duhet ta pranoj këtë sfidë dhe të vazhdoj të jem pozitiv. Ne nuk do të ndryshojmë mënyrën se si do t’i bëjmë gjërat.”. tha në fund Pochettino.

Back to top button