Sekiraqa akuzohet se kishte nxitur vrasjen e Triumf Rizës

Sekiraqa akuzohet se kishte nxitur vrasjen e Triumf Rizës

Në gjykimin e Enver Sekiraqës për nxitje të vrasjes së policit të Kosovës, Triumf Rizës, në cilësi të dëshmitarit u dëgjua Mehdi Kozhani, polici që e hetoi vrasjen.

Polici Kozhani deklaroi para Gjykatës se Triumfi kishte problem me, sipas tij, “grupin kriminal” të Enver Sekiraqës.

“Triumf Riza ka pasur disa raste të paraqitura në Polici si viktimë. Këto raste ishin shkaktuar nga grupi kriminal i Enver Sekiraqës, këto janë të evidentuara me raportet policore”, tha polici.

Sipas tij, ky grup kriminal përbëhej prej udhëheqësit Enver Sekiraqa, pasuesit të tij Ilir Avdullahut “Riza”,  Rrahim Avdullahut “Rrumqi”, Fitim Avdiut dhe prej personave të tjerë.

Kozhani shtoi se pjesë e këtij grupi kriminal ishte edhe Arben Berisha, personi i cili u dënua për vrasjen e Triumfit.

“Gjatë ekzaminimit të dëshmive Arben Berisha shihet në oborrin e Enver Sekiraqës në një tubim duke e luajtur rolin e truprojës”, tha dëshmitari.

Ai po ashtu shtoi se Arben Berisha me parë kishte një shtëpi të vjetër ndërsa pas një kohe kishte ndërtuar një shtëpi shumë të mirë dhe moderne.

Avokatja e Sekiraqes, Kosovare Kelmendi, lidhur me shtëpinë e Arben Berishës theksoi se nga vetë raporti i policit rezulton se Arben Berisha ka pasur babën e punësuar si shef në KEK, vëllain jashtë shtetit dhe motrën e punësuar dhe se kostoja e shtëpisë kapte vlerën e vetëm 31 mijë euro, të cilat ishin të përballueshme për familjen Berisha.

Gjatë marrjes në pyetje, avokatja Kelmendi kërkoi nga dëshmitari të tregojë se si kishte arritur video-incizimi i incidentit në Swiss Kazino, i cili kishte ndodhur rreth një vit para vrasjes, te lokali i Enver Sekiraqës në momentin e bastisjes nga ana e Policisë pasi sipas saj ato pamje i posedonte vetëm Policia.

Lidhur me këtë pyetje dëshmitari deklaroi se nuk i kujtohet saktësisht, por se është hartuar procesverbali dhe i është paraqitur prokurorit të rastit.

Enver Sekiraqa akuzohet se kishte nxitur vrasjen e Triumf Rizës. Për këtë akuzë Sekiraqa ishte dënuar me 37 vjet burgim mirëpo rasti ishte kthyer në rigjykim.

Ndërsa, për vrasjen e policit Riza në verën e vitit 2007, Gjykata e kishte gjetur fajtor Arben Berishën dhe e kishte dënuar me 35 vjet burgim./kallxo.com