Aktivistë të fushatës “Drejtësi për Kujtimin” kanë dorëzuar sot në Prokurorinë e Shtetit peticionin me mbi 1300 nënshkrime të qytetarëve që kërkojnë nga ky institucion dhe Policia e Kosovës kërkim-falje publike ndaj familjes së Kujtim Veselit i cili dyshohet të jetë dhunuar seksualisht dhe pastaj u gjet i vdekur në Fushë Kosovë.

Si pasojë e kësaj ngjarje të ndodhur një vit më parë, shoqata sot po kërkon hetime të pavarura penale të prokurorëve dhe zyrtarëve policorë, përgjegjës për rastin, dhe nga Qeveria e Kosovës po kërkojnë kompensim për shkelje të të drejtave të njeriut për familje ne viktimës.

Shoqata gjithashtu ka parashtruar ankesë ndaj Këshillit Prokurorial të Kosovës, të Avokati i Popullit për refuzim të qasjes në dokumente publike.

“Sot, më 31 gusht 2020 kemi dorëzuar peticionin Drejtësi për Kujtimin, të nënshkruar nga më shumë se 1300 qytetarë në tri institucione të ndryshme. Ky peticion përmban tri kërkesa: Nga Policia e Kosovës dhe Prokuroria e Shtetit kërkim falje publike ndaj familjes së Kujtim Veselit për shkeljen e së drejtës së tij në jetë dhe neglizhimin e rastit. Nga kryeprokurori i Shtetit dhe Prokuroria e Shtetit inicimin e hetimeve të pavarura penale të prokurorëve dhe zyrtarëve policorë përgjegjës për rastin, si dhe sjelljen para drejtësisë të personave përgjegjës për moskryerjen e detyrës zyrtare dhe shkeljen e statusit të barabartë të shtetasve të Republikës së Kosovës. Nga Qeveria e Kosovës kompensim për shkelje të të drejtave të njeriut për familjen e Kujtim Veselit”, tha aktivisti Gazmend Qyqalla.

Avokatja e familjes, Rina Kika tha se kanë kërkuar zgjerim të aktakuzës nga prokurorja e rastit, meqë sipas saj, aktakuza e parashtruar ndaj S.O., i përfshinë vetëm veprimet e tij kriminale të datës 11 korrik 2011 dhe jo dhunimin e Kujtim Veselit në janar të vitit të kaluar.

“Ne konsiderojmë se aktakuza duhet patjetër të përfshijë edhe dhunimin e Kujtimit në janar të vitit 2019 dhe se aktakuza pa përfshirjen e kësaj vepre është e mangët dhe nuk e adreson të plotë përgjegjësinë penale të kryesit. Veçimi i veprimeve kriminale të të akuzuarit vetëm për datën 11 korrik 2019 do të çojë një mesazh të gabuar të dhunuesit seksual të fëmijëve, që vetëm nëse e vrasin viktimën do të ndiqen penalisht, përndryshe mund të dhunojnë fëmijë pa u penguar nga askush”, tha ajo.

Ajo tha se në seancën e shqyrtimit gjyqësor për akuzën ndaj S.O., për vrasje të rëndë, që do të mbahet më 9 shtator, do të kërkojnë ta shpallë fajtor dhe ta dënojë të akuzuarin S.O.

Sipas saj, kjo vërtetohet me të gjitha provat e mbledhura nga Policia e Kosovës, Agjencia Kosovare e Forenzikës, Departamenti i Mjekësisë Ligjore dhe Prokuroria Themelore në Prishtinë.

Aktivistët kanë dashur të mbajnë një tubim paqësor me rreth 20 pjesëmarrës para ndërtesës së Prokurorisë, por kjo nuk u lejua nga Policia e Kosovës për shkak të pandemisë me COVID-19.

Ata kanë konsideruar se një vendim i tillë është i padrejtë dhe e kanë paditur Policinë e Kosovës dy ditë më parë në Gjykatën Themelore.

Avokatja e familjes gjithashtu kërkoi nga mediat që mos të kontaktojnë familjen e të ndjerit Kujtim Veseli, për t’i pyetur rreth procedurave që po zhvillohen meqë për çdo gjë mund të përgjigjet ajo.

11-vjeçari Kujtim Veseli është gjetur i vdekur më 11 korrik 2019 në lagjen “Xhemail Mustafa” në Fushë Kosovë./kp