Policia: E ashtuquajtura zyra serbe për Kosovë, vazhdon të mashtrojë dhe të keqinformojë opinionin

Policia e Kosovës sot ka deklaruar se e ashtuquajtura zyra serbe për Kosovë, vazhdon të mashtrojë dhe të keqinformojë opinionin lidhur me raste specifike të ndodhura në Republikën e Kosovës.
Kjo zyrë, sipas Policisë, një rast të evidentuar “grabitje” e vlerëson me elemente ndëretnike edhe pse ende nuk janë identifikuar personi/at e dyshuar.
“Rasti që i referohet është iniciuar sipas procedurave ligjore si “grabitje” dhe i njejti është prezantuar në ‘Raportin 24 orësh të PK-së’ në mëngjesin e sotëm. Policia është duke kryer hetime intensive dhe nga hetimet preliminare del se ka qenë një rast siq është evidentuar “grabitje” dhe motivi ka qenë përfitimi pasuror, andaj nuk mund të ndërlidhet si rast me elemente ndëretnike.
Policia e Kosovës ka potencuar se do të vazhdojë angazhimet e saj në realizimin e detyrave dhe autorizimeve ligjore, ndaj të gjithë qytetarëve pa dallime, përfshirë informimin e opinionit në mënyrë të drejtë me informata zyrtare.
“Në vijim keni rastin e publikur mëngjesin e sotëm në raportin 24 orësh. GRABITJE Rr. Qeta e Minatorëve, Mitrovicë 25.08.2022 – 22:40. Viktima femër kosovare ka raportuar se gjersa ajo ishte duke qëndruar në shtëpinë e saj, aty kanë hyrë dy të dyshuar të maskuar dhe duke kanosur dhe sulmuar fizikisht viktimën kanë kërkuar nga ajo paratë. Si pasojë e sulmit fizik viktima ka pësuar lëndime trupore për çka dhe është dërguar në tretman mjekësor. Nuk raportohet për të arrestuar, rasti në hetime.”, ka bërë të ditur tutje Policia./21Media

Back to top button