Sveçla: Rritja e prezencës policore në veri e domosdoshme

(Lajm i përditësuar)

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka konfirmuar prezencën e shtuar të Policisë së Kosovës në veri të vendit.
“Ditëve të fundit, pas sulmeve të njëpasnjëshme të armatosura ndaj zyrtarëve policor dhe qytetarëve në veri të vendit, rritja e prezencës policore me qëllim të ofrimit të sigurisë për të gjithë qytetarët është vlerësuar e domosdoshme. Sipas njoftimit tashmë zyrtar të Policisë së Kosovës, sot është shtuar prezenca e policisë së rendit në veri të vendit. Lusim të gjithë qytetarët të ruajnë qetësinë dhe të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës të cilët janë duke u angazhuar për rend dhe siguri për të gjithë qytetarët pa asnjë dallim”, ka shkruar ai.
20:21 – Policia e Kosovës vendos që ta rris prezencën në veri
Policia e Kosovës ka njoftuar se do të rris prezencën policore në veri, pas zhvillimeve të fundit.
Në njoftimin e policisë thuhet se ruajtja e rendit publik, garantimi i sigurisë, mbrojtja e jetës dhe pronës për të gjithë qytetarët pa dallim, janë ndër objektivat kryesore të Policisë së Kosovës.
“Në aspektin operacional policor, Policia e Kosovës ka kapacitete për menaxhimin dhe kontrollin e situatës së sigurisë dhe ruajtjen e rendit në gjithë vendin, si dhe ndërmarrjen e veprimeve për zbatimin e ligjshmërisë në vend. Prioritet i Policisë së Kosovës është ofrimi i sigurisë për të gjithë qytetarët, andaj duke vlerësuar situatën dhe rrjedhat aktuale në komunat veriore, policia ditëve në vijim do të rris prezencën policore në veri me qëllim të arritjes së objektivave të policisë”, ka njoftuar Policia e Kosovës përmes një komunikate për media.
Policia e Kosovës ka thënë se në vazhdimësi po përcjellë dhe analizon zhvillimet në vend, duke bërë vlerësime profesionale në bazë të të cilave ndërmerr masa të nevojshme, të arsyeshme dhe të ligjshme për zbatimin e ligjit dhe vendimeve të autoriteteve shtetërore të Kosovës.
“Policia e Kosovës do të vazhdojë angazhimin e saj në realizimin e detyrave policore në shërbim të qytetarëve të vendit, komuniteteve pa dallim dhe ofrimin e sigurisë së përgjithshme në gjithë territorin e vendit”, thuhet në njoftimin e Policisë./21Media

Back to top button