Policia e Kosovës: Gjendja e sigurisë në veri i është kthyer normalitetit

 
Policia e Kosovës është deklaruar për aksionin e zhbllokimit në veri të vendit.  Në komunikatën e Policisë thuhet se tash kjo zonë i është kthyer normalitetit.
“Referuar zhvillimeve dhe marrëveshjes së arritur në Bruksel ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë për targat e automjeteve, sot më 02 tetor 2021 në ditën e trembëdhjetë (13), pengesat/barrikadat e krijuara në të gjitha lokacionet kanë filluar të largohen nga vet personat të cilët i kanë vendosur ato dhe rrugët në drejtim të pikë kalimeve kufitare Jarinje dhe Bërnjak janë liruar për qarkullim”, thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës.
Tutje bëhet e ditur se, pas lirimit të rrugëve për qarkullim dhe largimit të pengesave, e personave të cilët në shenjë proteste kanë qëndruar në ato lokacione, njësitet speciale operative të Policisë së Kosovës kanë filluar lëvizjen e tyre nga pikat e vendosura drejt stacioneve policore.
Më tutje nga PK-ja kanë njoftuar se gjendja në veri i është kthyer normalitetit.
“Gjendja e sigurisë në pjesën veriore të Republikës së Kosovës, pas largimit të pengesave, lirimit të rrugëve për qarkullim dhe lëvizje të lirë i është kthyer normalitetit, përderisa njësitet policore patrulluese përfshirë ato kufitare vazhdojnë me realizimin e detyrave dhe përgjegjësive ligjore. Bazuar në marrëveshjen në fjalë njësitet e KFOR-it sipas mandatit të tyre, që në orët e mëngjesit janë angazhuar dhe vendosur në disa lokacione në pjesën veriore të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë.
Në njoftim thuhet se sot në orët e pasdites, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla  dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, vizituan stafin menaxhues dhe zyrtarët policorë në kampin Belvedere, të cilët ishin në detyrë në pjesën veriore të Republikës së Kosovës.
“Vizita e realizuar ishte e karakterit mbështetës, falënderues dhe përkrahës ndaj të gjithë zyrtarëve policorë, të cilët me angazhimin e tyre dhe sjelljen profesionale, treguan dhe njëherit dëshmuan se Policia e Kosovës është një polici demokratike e ndërtuar sipas standardeve evropiane, në shërbim të vendit dhe qytetarëve të saj”.
Më tej thuhet se ministri Sveçla  dhe drejtori Mehmeti, duke çmuar lartë punën e çdo punonjësi të Policisë së Kosovës, në zbatim të ligjit dhe vendimeve të institucioneve të Kosovës, kërkuan nga të njëjtit që të vazhdojnë punën dhe detyrat e tyre policore në shërbim të vendit dhe qytetarëve në mënyrë profesionale, ashtu siç është dëshmuar gjatë këtyre 13 ditëve, duke mos rënë pre e asnjë provokimi të kryer në forma të ndryshme nga ana e protestuesve.
Të shtunën, më 2 tetor, janë zhbllokuar dy pikat kufitare, Jarinjë dhe Bërnjak, të cilat lidhin Kosovën dhe Serbinë./21Media

Back to top button