Policia e Kosovës: Jemi të mirëpritur nga banorët në veri

Policia e Kosovës siguron se forcimi i rendit dhe sigurisë publike, parandalimi i akteve kriminale si dhe ndërmarrja e masave policore konform situatës dhe zhvillimeve në gjithë vendin, përfshirë zhvillimet në veri të vendit mbesin ndër prioritetet e Policisë së Kosovës.
Që nga vendosja e nëntë (9) barrikadave nga persona/grupe kriminale, situata e sigurisë në veri të vendit vazhdon të jetë e njëjtë, ku si pasojë e këtyre barrikadave dy pikat kufitare “Jarinje” dhe “Bërnjak” ende mbesin të mbyllura për qarkullim, njofton sot Policia e Kosovës përmes një komunikate.
“Referuar situatës së krijuar, bllokimit të rrugëve, e rasteve/sulmeve të ndodhura nga grupet kriminale, kanë bërë që të krijohen rrethana të reja të punës e po ashtu kanë ndikuar edhe në jetën e qytetarëve të asaj zone, të cilët nuk po mund të kenë lëvizje të lirë si dhe nuk po e kanë qasjen e lehtë në shërbimet e tyre të nevojshme.Edhe përkundër këtyre rrethanave të krijuara në veri të vendit, Policia e Kosovës po angazhohet me të gjitha format që t’iu dalë në ndihmë kërkesave dhe nevojave të qytetarëve pa dallime, si dhe të punojë në parandalimin e akteve kriminale, të cilat po organizohen nga persona të përfshirë në grupe kriminale të organizuara nga brenda dhe jashtë Kosovës.”, thuhet në njoftimin e policisë.
Policia e Kosovës po ashtu thotë se në këtë drejtim, bazuar në informacionet që posedon po bashkëpunon ngusht me institucionet relevante të sigurisë, në ndërmarrjen e masave të nevojshme ligjore, në interes të ruajtjes së rendit kushtetues të RKS-së, mundësimit të lëvizjes së lirë dhe sjelljes para organeve të drejtësisë së personave të dyshuar.
“Policia e Kosovës vazhdon të jetë e mirëpritur nga qytetarët në nivel vendi, përfshirë edhe nga banorët në veri të vendit, të cilët bashkëpunojnë me njësitet policore, që ofrojnë siguri dhe shërbime policore për qytetarët pa dallime.”, thuhet në njoftim./21Media

Back to top button