Sveçla publikon pamje nga bastisja e vilës së Radoiçiqit, e krahason atë me Pablo Escobarin

(Lajm i përditësuar)


Ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla ka publikuar një video nga aksioni i bastisjes në pronat e Milan Radoiçiqit.

“Sulmi terrorist me të cilin është ballafaquar Policia e Kosovës në fshatin Banjska të Zveçanit do të hetohet detajisht dhe deri në fund. Policia e Kosovës në zbatim të urdhëresës së gjykatës, sot është kryer bastistje në banesën e Milan Radoiçiqit, në vilën e tij në Liqenin e Ujmanit, në një aneks/ngrohtore të Spitalit të Mitrovicës si dhe në shtëpinë e Vladimir Radojevic i njohur me nofkën ‘Mami’”, ka njoftuar Sveçla.

Ai ka thënë se është dëshmuar lidhja e Radoiçiqit me sulmin në Banjskë dhe e ka krahasuar atë me Pablo Escobarin.

“Ne e kemi dëshmuar edhe me pamje dhe me prova të tjera që udhëheqësi i këtij grupi ishte Milan Radoiçiq. Edhe nga pamjet që po shihen, dëshmohet se nuk bëhet fjalë për asnjë ‘luftëtar lirie’ por për një Pablo Escobar të rajonit. Nën maskën e mbrojtësit të qytetarëve ai dhe bashkëpunëtorët e tij u bënë multi milionerë në kurriz të ligjit, shtetit dhe qytetarëve të tjerë. Prandaj, është e domosdoshme që vatra e krimit e gjithë këtyre viteve në veri të vendit të hetohet së bashku me të gjithë asetet, aparaturën dhe lokacionet e grupit terrorist”, ka shkruar Sveçla.

Pablo Escobar vlerësohet si trafikanti më i madh në botë i kokainës dhe një nga kriminelët më të mëdhenj në historinë e njerëzimit.

 


Krejt çka konfiskoi Policia e Kosovës nga bastisjet në veri 

Pas realizimit të urdhër kontrollit në pronat e të dyshuarve janë sekuestruar në cilësi të provave materiale:

· 2 Automjete Mercedes

· Argjend 4.84 Kg

· 2 Motor 4X4

· 1 Barkë-Anije

· 7 DVR

· 2 Pllaka antiplumb me dy mbrojtës

· 3 Thika

· 2 Rutera

· 2 Çelësa të veturave

· 5 Gëzhoja

· 1 Dronë

· 5 USB

· 1 Kamera GoPro- SSD

· 1 Video kamerë me kartelë

· 1 Shënjestër optike

· 1 Spray

· 7 telefona celular

Po ashtu, Prokuroria Speciale do të parashtroj urdhrin ndalues në Gjykatën kompetente për sekuestrim të një vile buzë liqenit të Ujmanit, një penthouse dhe një lokali.

Prokuroria Speciale njofton se Policia e Kosovës do të vazhdojë me angazhimet e saja në realizimin e detyrave dhe aktiviteteve policore, në interes të ruajtjes së rendit kushtetues, ofrimit të sigurisë ndaj qytetarëve pa dallim.

Njëkohësisht Policia e Kosovës, fton dhe falënderon qytetarët për besimin dhe bashkëpunimin e treguar, në rritjen e sigurisë publike dhe parandalimin e aktiviteteve kriminale.


Lista Serbe: Njësitë Speciale bastisën ilegalisht e brutalisht pronat në veri

Aksion ilegal e brutal e ka konsideruar Lista Serbe (LS) aksionin e sotëm të Policisë së Kosovës në 5 lokacione të ndryshme në lidhje me sulmin në Banjskë të Zveçanit.

Përmes një postimi në facebook, Lista Serbe po pretendon që Policia e Kosovës i ka shqetësuar qytetarët.

“Sot, në orët e hershme të mëngjesit, njësitet speciale të Kurtit, të cilat janë të pranishme ilegalisht në veri të Kosovës dhe Metohisë, hynë brutalisht në Qendrën Spitalore Klinike në Mitrovicë dhe me atë rast rrënuan disa nga dhomat me forcë dhe brutalitet të tepruar”, thuhet në postim.

Sipas tyre kjo bastisje ‘ka penguar punën e punonjësve shëndetësorë dhe ka frikësuar pacientët që po i nënshtrohen trajtimit spitalor në këtë institucion’.

“Paralelisht me këtë bastisje, një bastisje brutale është bërë edhe në disa objekte private në veri të Kosovës dhe Metohisë dhe ne ende jemi duke mbledhur të dhëna për këto bastisje”, thuhet tutje në postim.

Lista Serbe ka kritikuar edhe bllokimin e rrugëve nga njësitë policore gjatë bastisjeve që janë bërë, duke thënë se është penguar lëvizja.

“Gjatë këtij aksioni brutal të forcave speciale të Kurtit është bllokuar rruga që të çon në kopshtin e fëmijëve, përkatësisht në institucionin parashkollor “Danica Jaramaz” dhe shkollën fillore “Sveti Sava”. Mësuesit dhe edukatorët nuk mund të shkonin në vendet e tyre të punës, fëmijët ishin të tmerruar dhe prindërit e shqetësuar nuk lejoheshin t’i çonin fëmijët e tyre në kopsht ose në klasa”- thuhet tutje në reagim.Sipas tyre qeveria Kurti po shfrytëzon ngjarjet e Banjskës për ‘keqtrajtim’ të serbëve.

“Është e qartë se regjimi i Kurtit tani po i shfrytëzon ngjarjet tragjike nga Banjska për të justifikuar të gjitha aktivitetet antiserbe në Kosovë dhe Metohi, si dhe për të vazhduar keqtrajtimin e mëtejshëm të qytetarëve tanë”, thuhet tutje aty.

Ata nuk lanë pa kritikuar edhe EULEX, i cili sipas tyre vetëm ka vëzhguar.

“Duhet të theksohet se anëtarët e EULEX-it i kanë ndjekur të gjitha këto inkursione brutale nga një distancë prej dhjetëra metrash, absolutisht të painteresuar për të parandaluar keqtrajtimin e popullit serb apo për t’u përfshirë aktivisht dhe për të parandaluar veprimet ilegale të specialëve të Kurtit”, thuhet tutje.

Sipas tyre, ‘gjatë kësaj sjelljeje të paqytetëruar nuk kishte asnjë pjesëtar të KFOR-it’. Lista Serbe ka kërkuar nga qytetarët serbë që të ruajnë gjakftohtësinë deri në ‘rikthimin’ e paqes në veri.

“Na mbetet t’u bëjmë thirrje qytetarëve që në këto kohë të çmendura të ruajnë gjakftohtësinë dhe të jenë me fëmijët e tyre, me shpresën se edhe një herë në këto zona do të mbretërojë paqja dhe se edhe serbët do të mund të bëjnë një jetë normale. të trajtohen pa u terrorizuar deri në dhëmbë”, thuhet tutje aty.


Prokurori: Aksioni u realizua kryesisht në prona të cilat janë evidentuar si prona të Radoiçiqit 

Prokurori special Naim Abazi ka thënë se aksioni i Policisë së Kosovës të premten është zhvilluar kryesisht në pronat të cilat tanimë janë evidentuar si prona të të dyshuarit Milan Radoiçiq.

Në një prononcim për “Betimi për Drejtësi”, Abazi tha se aksioni është bërë me kërkesë të Prokurorisë Speciale e me urdhër të gjykatës kompetente.

“Ky aksion është bë me urdhër të Gjykatës, me kërkesë të kësaj Prokurorie në pesë lokacione të ndryshme në komunat e pjesës veriore të Kosovës. Kryesisht në pronat të cilat tanimë janë të evidentuara si prona të të dyshuarit Milan Radoiçiq, ndërsa sa i përket rezultateve ose gjërat që kemi gjetur në këto lokacione, provat qoftë ato materale dhe ato sendeve të cilat ne konsiderojmë të sekuestrohen do t’ju njoftojmë me kohë pemës një kumtese nga zëdhënësësit e kësaj Prokurorie”, tha Abazi.

I njëjti shtoi se janë duke i evidentuar pronat të cilat dyshohen se janë në emër të Radoiçiqit dhe personave të tretë ku ai i ka transferuar ato prona.

“Gjithçka që i përket operacionit dhe çështjeve të realizimit sa i përket kësaj urdhërese është përkujdesë Policia e Kosovës me detaje. Ne jemi ende tu i evidentuar pronat të cilat dyshohet se kanë qenë në emër të tij apo personave të tretë ku ai ka transferuar këto prona, por për rezultatin e tyre më saktësisht do t’ju njoftojmë në një njoftim të radhës pasi të përfundon në tërësi operacioni”, tha Abazi.

Ndryshe, Policia e Kosovës ka konfirmuar se aksioni është kryer në katër prej pesë lokacioneve ku po zhvillohen bastisjet.


Policia e Kosovës me operacion në veri, bastisje në pesë lokacione

Policia e Kosovës ka njoftuar se është duke zhvilluar kontrolle në pesë lokacione të ndryshme në veri të Kosovës, që lidhen me sulmin ndaj Policisë së Kosovës, në fshatin Banjskë.

“Sot, me datën 29.09.2023 Policia e Kosovës është duke zbatuar urdhëresën e gjykatës kompetente për kontrolle, në pesë lokacione në tri komunat në veri të Kosovës. Këto operacione janë duke u zhvilluar lidhur me ngjarjet e fundit të ndodhura në fshatin Banjskë”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Operacioni policor është duke vazhduar nga njësitet relevante të Policisë së Kosovës, me prezencën në vend ngjarje të prokurorit të Prokurorisë Speciale të Kosovës.

“Me këtë rast Policia e Kosovës njofton qytetarët se nuk kanë nevojë për ndonjë shqetësim. Këto urdhër kontrolle, janë duke u zbatuar në koordinim me EULEX-in dhe KFOR-in”, thuhet në njoftim.

Të dielën, si pasojë e një sulmi të armatosur në Banjskë të Zveçanit u vra polici Afrim Bunjaku. Në aksionin pasues të Policisë, dhjetëra sulmues të armatosur e uniformuar serbë u rrethuan në fshatin Banjskë.

Policia u sulmua në vazhdimësi nga sulmuesit. Nga aksioni deri tash janë konfirmuar tre sulmues të vrarë e tetë të arrestuar. Prej të arrestuarve, tre janë dërguar në paraburgim e katër janë liruar.

Është kapur edhe arsenal armësh, ndërsa disa sulmues të tjerë tashmë kanë ikur e po trajtohen në spitalet e Serbisë.

Institucionet e Kosovës kanë fajësuar Serbinë se qëndron prapa sulmit.

Tashmë janë publikuar pamje që tregojnë se si grupi i armatosur ka lëvizur në Manastirin e Banjskës. Ministri i Brendshem Xhelal Sveçla ka publikuar pamje në të cilat shihet edhe zëvendëskryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq.

Back to top button