Policia e Kosovës: Situata në veri është e qetë

Policia e Kosovës ka njoftuar se operacioni policor kundër kontrabandës ka përfunduar dhe situata në pjesën veriore të Mitrovicës është e qetë.
Tutje, Policia ka bërë të ditur se në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë është duke kryer hetime intensive drejt identifikimit të personave të dyshuar që kanë kryer sulmet me mjete të rrezikshme dhe armë zjarri ndaj zyrtarëve policorë dhe atyre doganorë.
Në operacionin kundër kontrabandës, si pasojë e gjuajtjeve me mjete të ndryshme vdekjeprurëse drejt zyrtarëve policorë është raportuar se 10 zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime trupore, prej tyre 7 zyrtarë të nacionalitetit shqiptarë dhe 3 zyrtarë te nacionalitetit serb. Poashtu, bazuar në informacionet fillestare një nga personat e përfshirë në sulm ndaj zyrtarëve policorë është lënduar.
Policia ka arrestuar 8 persona të dyshuar për kontrabandim me mallra dhe 10 persona tjerë janë shpallur në kërkim policor.
Po ashtu janë sekuestruar mallra dhe dëshmi të ndryshme të kontrabanduara në vlerë prej qindra mijëra euro, që shërbejnë si prova materiale, të cilat kanë qenë të vendosura në lokacione të ndryshme si lokale afariste, magazina/depo etj.
Sipas Policisë, qëllim i këtij operacioni policor ishte parandalimi dhe luftimi kontrabandës në disa rajone të Kosovës (Prishtinë, Pejë, Mitrovicë Jugu, Mitrovicë Veriu dhe Zveçan), respektivisht kontrollin e 26 lokacioneve të dyshuara, sekuestrimin e mallrave të kontrabanduara dhe arrestimin e personave të dyshuar për përfshirje në kontrabandë./21Media

Back to top button