Policia e Kosovës: S’ka ndodhur asnjë sulm ndaj asnjë qytetari serb

Policia e Kosovës ka thënë se pas sulmeve të fundit në veri të vendit, asnjë person nuk është lënduar. Megjithatë, vazhdojnë bllokimet e rrugëve në Jarinje e Bërnjak.
“Bllokimi i rrugëve nga grupe kriminale në veri të vendit, sulmet me armë zjarri e bomba çorientuese (shok bomba) ndaj Policisë së Kosovës, sulmi me shok bomba ndaj gazetarëve e ndaj patrullës vëzhguese të EULEX-it, ka tensionuar situatën në veri të vendit dhe ka pamundësuar lirinë e lëvizjes së qytetarëve dhe qarkullimit të mallrave në dy Pikë Kalimet Kufitare Jarinje dhe Bërnjak. Fatmirësisht nga këto sulme nuk është evidentuar ndonjë lëndim ndaj qytetarëve apo personave zyrtar. Përderisa edhe sot vazhdojnë bllokimet e rrugëve në drejtim të dy Pikë Kalimeve Kufitare Jarinje dhe Bërnjak, Policia e Kosovës siç e ka bërë të ditur si masë paraprake të sigurisë ka mbyllur përkohësisht për qarkullim këto dy pika kufitare, të cilat vazhdojnë të jenë të mbyllura edhe sot”, bëhet e ditur nga Policia e Kosovës.
Policia e konsideron situatën në vend, si të brishtë – e cila ka vazhduar edhe gjatë natës.
Njëkohësisht, Policia shprehen se janë të angazhuar në ofirmin e sigurisë për të gjithë qytetarët, pa asnjë dallim.
“Një situatë e brishtë ka vazhduar edhe gjatë natës, e tillë vazhdon të jetë edhe sot, andaj Policia e Kosovës sipas detyrës zyrtare po vazhdon fuqishëm angazhimet e saja me njësitet policore, në ofrim të sigurisë për të gjithë qytetarët pa dallime, në interes të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike, si dhe sjelljen para organeve të drejtësisë të personave të dyshuar të involvuar në veprimtari kriminale”, vazhdon njoftimi i Policisë.
Policia ka demantuar lajmin që ka qarkulluar në mediat serbe, kinse njësitët e Policisë kanë maltretuar një punonjës serb.
“Njëkohësisht përmes këtij njoftimi zyrtar Policia e Kosovës, njofton opinionin publik dhe demanton disa media serbe të cilat i referohen se kinse njësitet speciale të PK-së, te Ujmani kanë ndaluar dhe maltretuar një qytetar/punonjës serb dhe kinse kanë marrë objektet në atë lokacion. Policia e Kosovës me njësitet e saja është vendosur në rrugën kryesore që shpie në drejtim të Pikës Kufitare të Bërnjakut, nuk është vendosur në ndonjë objekt të caktuar si dhe nuk ka maltretuar asnjë person apo punonjës, siç është publikuar në media, por vetëm ka legjitimuar një person i cili ka qenë duke kryer incizime me telefon në atë lokacion, i cili pas legjitimit ka vazhduar pa asnjë problem. Pikërisht në këtë lokacion mbrëmë grupet kriminale në tri raste kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të njësiteve policore që kanë qenë në detyrë zyrtare, e të cilat në vetëmbrojtje janë detyruar t’iu kundërpërgjigjen me armë zjarri personave/grupeve kriminale”, thotë Policia në një komunikatë për media./21Media

Back to top button