Kaloni te përmbajtja kryesore

Policia gjen drogë, fishekë e para gjatë kontrollit në një shtëpi në Mitrovicë

Policia e Kosovës (PK) njofton se gjatë një kontrolli në fshatin Rekë të Mitrovicës, ka gjetur drogë, municion e para të gatshme.

Në njoftimin e Policisë, thuhet se hetuesit e Drejtorisë së Hetimit të Trafikimit të Narkotikëve në Mitrovicë-Jug, pas pranimit të informacioneve nga terreni dhe në asistim të një patrulle policore pranë Stacionit Policor në Mitrovicë-Jug, kanë realizuar një kontroll të detajuar në një shtëpi dhe objektet përcjellëse në fshatin Rekë.

“Gjatë kontrollit, si prova materiale janë sekuestruar: 8 qese me substancë të dyshuar narkotike të llojit kokainë, me peshë totale prej 8.8 gram, 75 qese me substancë narkotike të llojit marihuanë, me peshë totale prej 106.3 gram, 17 fara të bimëve narkotike Kanabis Sativa, 8 fishekë të kal. 7.92×57, 1 peshore digjitale, 1 mulli për bluarjen e marihuanës, 1010 euro para të gatshme”, thuhet në njoftim.

Bëhet e ditur se në vendin e ngjarjes ka dalë Krimteknika Rajonale, e cila ka realizuar fotografimin, evidentimin, matjen dhe sekuestrimin e dëshmive.

“Gjatë kontrollit, i dyshuari nuk ka qenë i pranishëm në shtëpi, por i është lënë ftesë që të paraqitet në Polici për t’u marrë në pyetje. Lidhur me këtë rast, është informuar Prokurori Kujdestar pranë Prokurorisë Themelore në Mitrovicë – Departamenti i Krimeve të Rënda. Hetimi për këtë rast është duke u kryer nga antidroga Mitrovicë-Jug”, njofton Policia.

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button