Policia i gjen heroinë në bagazh, arrestohet 45 vjeçari

Policia e Kosovës ka arrestuar një person, i identifikuar si I.B/45 vjeç , pasi dyshohet se është përfshirë në trafikim me narkotikë.
Sipas njoftimit të Policisë, sot në orën 12:00, në rrugën nacionale Prishtinë-Pejë, konkretisht fshati Komoran, kanë ndalur një veturë, pasi dyshohej se me të 45 vjeçari po barte lëndë narkotike.
Gjatë kontrollit të veturës, në bagazh, te rrota rezervë të dyshuarit i janë gjetur gjashtë paketime me substancë narkotike, e cila dyshohet të jetë e llojit heroinë.
Siç bëhet e ditur në njoftimin e Policisë, të njëjtit Policia ia ka kontrolluar edhe shtëpinë, por gjatë kontrollit nuk është gjetur asgjë e dyshuar.
I dyshuari është intervistuar dhe ndaj tij është iniciuar rasti ”Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e substancave narkotike dhe psikotropike”.
Me aktvendim nga prokurori të njëjtit, i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orëve./21Media

Back to top button