Policia jep sqarime për rrugët e bllokuara sot

Policia ka thënë se rrugët janë bllokuar me qëllim që qytetarët të shprehin pakënaqësitë kundër zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë

Policia e Kosovës bën të ditur se sot në orët e hershme të mëngjesit, nga disa grupe të ndryshme qytetarësh, janë bërë disa pengesa (bllokime) të rrugëve, duke ndërprerë përkohësisht qarkullimin e automjeteve.

Ndalimi i përkohshëm i qarkullimit të automjeteve është bërë në disa lokacione të ndryshme të Kosovës (5-6 lokacione), duke filluar afërsisht rreth orës 08:00 të mëngjesit, për të përfunduar pas një apo dy orësh.

Në njoftimin e dërguar thuhet se Policia e Kosovës, me njësitet e saja relevante policore, menjëherë ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme policore për të menaxhuar me situatën e paraqitur, me qëllim të normalizimit të situatës dhe krijimit të mundësive për qarkullim të automjeteve në trafik.

“Qytetarët në shenjë proteste kanë penguar qarkullimin e automjeteve, duke bllokuar rrugët me mjete të ndryshme, ku sipas informacioneve të pranuara bllokimi është bërë me qëllim që të shprehin pakënaqësitë kundër zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë dhe kundër vizitave dhe ndërhyrjes së Serbisë në Kosovë”, thuhet në njoftim.

Qytetarët e tubuar në këto lokacione gjatë protestimit të tyre kanë pasur flamuj kombëtarë dhe flamuj të Republikës së Kosovës, si dhe disa pankarta në të cilat shkruante: “Ju i përkisni këtij vendi e jo Vuqiqi”, “Drejt Brukselit e jo drejt Moskës”, “Të ndërtojmë së bashku Kosovën… etj.

Pas një periudhe kohore afërsisht prej një apo dy orëve qytetarët janë larguar nga rrugët dhe komunikacioni është normalizuar për qarkullim.

Po ashtu në komunikatë thuhet se gjatë kësaj periudhe kohore sa ka zgjatur pengimi i qarkullimit të trafikut, disa autobus me qytetarë të komunitetit serb që kishin planifikuar që të niseshin për në drejtim të Leposaviqit kanë vendosur të kthehen në lokacionet ku banojnë, ndërsa disa të tjerë kanë vazhduar në drejtim të Leposaviqit pa probleme.

“Vlen të potencohet se protestat kanë përfunduar të qeta pas një apo dy orësh varësisht prej lokacioneve dhe deri më tani nuk është evidentuar ndonjë incident, ku njësitet policore janë kujdesur për qarkullimin e autobusëve, automjeteve dhe në mbarëvajtjen e trafikut”, thuhet në fund të njoftimit./21Media

Back to top button