Policia kërkon informacione për rastin e foshnjës së braktisur e cila u gjend pa shenja jete në Prishtinë

(Lajm i përditësuar)
Policia kërkon informacione për rastin e foshnjës së braktisur e cila u gjend pa shenja jete në Prishtinë
Policia e Kosovës deklarohet për rastin e rëndë ku një foshnje u gjetë pa shenja jete sot në afërsi të një deponie mbeturinash në Prishtinë.
Zëdhënësi i policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci në një përgjigje për portalin rtv21.tv ka thënë se policia rreth orës 11:00 ka marrë informatën.
“Sot rreth orës 11:00, policia ka pranuar informatën lidhur me dyshimet për një foshnje të braktisur në afërsi të deponisë së mbeturinave në rrugën “Qëndresa” në Prishtinë. Të gjitha njësitë relevante policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, po ashtu edhe mjekët emergjent të cilët kanë konstatuar se foshnja e porsalindur është pa shenja jete”, tha ai.
Borovci tha se policia në koordimim me prokurorin e shtetit është duke trajtuar rastin me seriozitet dhe ka iniciuar një hetim mbi vdekjen.
“Përderisa trupi i pajetë i foshnjës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, policia në koordinim me prokurorin e shtetit, me seriozitet është duke u trajtuar rastin dhe ka iniciuar një hetim mbi vdekjen”, deklaroi ai.
“Ftojmë këdo që ka informacion lidhur me ngjarjen të kontaktojë direkt Policinë”, ka thënë Borovci. /21Media
Prokuroria nis hetimet pasi një foshnje u gjet në mbeturina në Prishtinë
Një ngjarje e rëndë është raportuar ditën e sotme sipas mediave në lagjen Matiqan të Prishtinës, një foshnje e porsalindur është gjetur e braktisur në rrethana ç’njerëzore.
Lidhur me këtë rast për portalin rtv21.tv, zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kaltrina Shala, ka konfirmuar se kanë nisur hetimet.
“Lidhur me pyetjen tuaj ju njoftojmë, se Prokurori kujdestar është njoftuar për rastin aktual, është në ndërmarrjen të gjitha masave dhe veprimeve hetimore për këtë çështje. Për më shumë informacione ju njoftojmë në vazhdimësi”, tha Shala. /21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?