Policia konfirmon rastin e grabitjes së bankës në Veternik
Një person i lënduar është dërguar për tretman mjekësor
Policia e Kosovës njofton se sot rreth orës 13:30, policia ka marrë informatën për një grabitje të armatosur. Grabitja ka ndodhur në filialin e një banke që gjendet në lagjen Veternik, në Prishtinë.
Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni strukturat rajonale për hetimin e krimit me një intensitet të shtuar kanë filluar ndërmarrjen e një varg veprimesh operative dhe hetimore.
Mbështetur në rezultatet e para të grupit hetimor që po zhvillon hetimet lidhur me rastin në fjalë dyshohet se kjo grabitje është realizuar nën kërcënimin e armëve, po ashtu personat e dyshuar kanë sulmuar fizikisht një person dhe janë larguar nga vendi i ngjarjes.
Personi i lënduar (sigurim i bankës) është dërguar për tretman mjekësor, ndërkohë që policia po punon me përkushtim për të identifikuar personat e dyshuar dhe vendndodhjen e tyre.