Policia kufitare sulmohet me mjete shpërthyese

Policia kufitare në veri të vendit është sulmuar sërish, por fatmirësisht nuk ka persona të lënduar.

Siç ka bërë të ditur Policia ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:10, në Sharpaj të Jarinjës, ku kanë ndodhur dy shpërthime të cilat dyshohet nga mjete piroteknike.
Shpërthimet kanë ndodhur afër veturës së policisë e cila ishte në një pikë statike ku policia ishte e përqendruar në parandalim të kontrabandës në atë zonë.
”Nga shikimi i vendit të ngjarjes është vërejtur se në xhamin e veturës policore ka mbetur një copë letre (dyshohet mbështjellës i mjeteve piroteknike). Ngjarja ka ndodhur në një pjesë që është afër territorit të Serbisë dhe dyshimi i bazuar është se këto mjete janë hedhur nga territori i Serbisë. Policia ka qenë duke monitoruar një rrugë ilegale të mbyllur kohë më parë dhe e cila përdorej për kontrabandë të mallrave”, thuhet në njoftimin e policisë.
Policia është duke e trajtuar rastin dhe do të vazhdojë aktivitete operative për të parandaluar aktet kriminale trans-kufitare në atë zonë dhe ofrimin e sigurisë për të gjithë.
Dje dy vetura të Policisë së Kosovës të cilat po bartnin zyrtarë policorë për në pikat kufitare, janë sulmuar. Kështu ka bërë të ditur në një konferencë për media, Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla./21Media





Back to top button