Sveçla: Policia u sulmua me granata dore në veri

Dy vetura të Policisë së Kosovës të cilat po bartnin zyrtarë policorë për në pikat kufitare, janë sulmuar në mëngjesin e së premtes. Kështu ka bërë të ditur në një konferencë për media, Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla.
“Sot rreth orës 07:40 ka ndodhur një sulm ndaj Policisë së Kosovës të cilët kanë qenë duke shkuar për të realizuar ndërrimin në pikat kufitare. Ky sulm tashmë i faktuar me granatë dore dhe AK-47, si një akt terrorist është bërë me qëllim të frikësimit të zyrtarëve policorë por edhe të gjithë qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Sveçla.
Sipas ministrit, ky sulm tashmë është i faktuar. Ai po ashtu ka thënë se në tri ditët e fundit janë realizuar katër sulme ndaj policëve të Kosovës në veri.
“Sulmi i parë ka ndodhur duke vendosur iriqë metalik në rrugën nacionale në kohën përafërsisht të njëjtë me sulmin e sotëm me qëllim që të pamundësojnë punën e policisë së Kosovës dhe në të njëjtën kohë ta rrezikojnë drejtpërdrejtë jetën e tyre. Sulmi i dytë ka ndodhur me gjuajtje me gurë në veturën e Policisë së Kosovës, sulmi i tretë është publik, ka ndodhur mbrëmë ku në afërsi të puntit policor i cili bën sigurimin e pengesave të rrugëve ilegale është gjuajtur me armë zjarri, dhe sot drejtpërdrejtë janë goditur dy veturat të cilat transportonin zyrtarët policorë për në pikat kufitare. Ky ishte një ndërrim i rregullt i policisë që ndodh në ora 08:00 dhe dy nga katër sulmet kanë ndodhur në atë kohë”, ka deklaruar Sveçla./21Media

Back to top button