Policia merr malet për hashash, kontrollohen 85 zona

Rreth 4200 bimë kanabisi janë asgjësuar në qytetin e Shkodrës, në Shqipëri, në kuadër të oporacionit policor të koduar “Pulti”.
Prej 48 orësh, në njësitë administrative Pult dhe Shalë, të bashkisë Shkodër, po vijon operacioni në të cilin janë përfshirë 250 forca policore, të cilat po përdorin 4 dronë, dylbi dhe disa GPS, për të gjetur koordinatat e regjistruara nga monitorimi ajror i GDF-së dhe nga dronët e Policisë që ka në dispozicion DVP Shkodër. Gjatë operacionit janë kontrolluar 85 zona.
“U asgjësuan rreth 4200 bimë kanabis që ishin kultivuar në zona të pyllëzuara dhe në sipërfaqe të vogla me nga 15 deri në 20 bimë.”- njofton policia.
Sipas policisë, operacioni është në vijim.
Gjatë orëve të fundit, operacione masive janë zhvilluar në Krujë dhe në Mirditë, ku si rezultat janë vënë në pranga 4 shtetas, të dyshuar për kultivim të bimëve narkotike.
Policia e Shtetit mbetet e vendosur në luftën kundër kanabisit dhe ndaj çdo lloj veprimtarie tjetër antiligjore./oranews

Back to top button