Policia një prej insitucioneve më të besueshme
Policia e Kosovës konsiderohet si një prej institucioneve me të besueshme, por ndodh që edhe brenda këtij insitucioni ka raste të shkeljes së ligjit dhe kryerjes së veprave penale nga zyrtarët policor.
Inspektoriati i Policisë për portalin rtv21.tv ka bërë të ditur se gjatë vitit 2021 ka realizuar gjithsej 34 arrestime të punonjësve të PK-së dhe 4 qytetarë të dyshuar (të cilët kanë qenë të përfshirë në veprimtari penale në rastet ku janë hetuar punonjësit e PK-së) si dhe ka rekomanduar 85 suspendime dhe 6 transferime në interes të hetimeve.
Sipas IPK-së, veprat penale të cilat më së shpeshti janë hetuar janë: “Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”,“Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar “, “Lëndimi i lehtë trupor”, “Kanosje” dhe “Dhuna në familje”.
Lidhur me këtë, Ehat Miftaraj nga Instituti për Drejtësi vlerëson se Policia prapë mbetet një ndër insitucionet më të respektuara në Kosovë.
Ai për portalin rtv21.tv thotë se duke marrë parasysh faktin se janë mbi 8000 zyrtarë policorë, një organizatë e tillë me numër kaq të madh të pjestarëve nuk mund të jetë imun ndaj rasteve të shkeljes së ligjit.
“Përderisa kohëve të fundit kemi parë një Inspektorat Policor më efikas, e njëjta nuk ka ndodh edhe në vitet e mëhershme. Inspektorati Policor si autoritet për të hetuar rastet kur policët kryejnë vepra penale nëse ushtron kompetencat dhe pergjegjesitë e tyre sipas ligjit pastron policinë nga elemente të cilet nuk e meritojnë uniformën e policit, andaj duhet parë si aspekt pozitiv.”, pohon Miftaraj
Megjithatë, sipas tij edhe në këtë insitucion ka vend për përmisim.
“Policia e Kosovës dhe menaxhmenti kompetent do të duhej të kryente analiza të brendshme, vleresim përmbajtesor dhe të gjejë shkaktarët që dërgojnë që policia të kryen vepra të tilla penale, duke filluar nga procesi i rekrutimit të policeve, trajnimet, apo çështje tjera relevante që do të shfrytezoheshin për të parandaluar apo minimizuar rastet kur policët përfshihen në veprimtari kriminale.”, përfundon Ehat Miftaraj.
Edhe eksperti i sigurisë, Fatmir Çollaku për portalin rtv21.tv vlerëson punën e policisë duke e konsideruar si një prej institucioneve më kredibile. Sipas tij policia gëzon besim të lartë në opinionin publik me performancë profecionale dhe cilësore.
“Sa i përket arrestimeve të policëve nga ana e Inspektoratit Policor në vitin 2021 mund të them se është indikator i funksionimit të institucioneve të Republikës në harmoni me mandetet e tyre,në rastin konkret të IPK.”, thotë Çollaku.
Tutje ai thotë se këtë e dëshmon edhe fakti se jo vetëm nga Inspektorati Policor por, edhe nga mekanizmat kontrollues brenda vet Policisë ka raste të largimit të policëve nga puna e edhe masa tjera të shqiptuara nga mekanizmat.
“Policia,pastaj IPK e kanë seriozisht çëllimin primar që vetëm policët profesionistë e me përgjegjësi e me etikë të lartë e kanë vendin në Polici.
Të gjithë ata që bien ndesh me ligjin apo në përgjithësi rregullativen Juridike mund të arrestohen, dënohen,apo në forma të ndryshme të ndëshkohen, gjithnjë sipas ligjit.”, përfundon Çollaku./21Media