Policia për shpërthimin në veri: Me siguri bëhet fjalë për qërim hesapesh

Policia e Kosovës tha se tre persona ishin cak i një sulmi me granatë dore mbi makinën e tyre rreth mesnatës së kaluar në afërsi të një hoteli në rrugën “Knjaz Millosh” në Mitrovicën e Veriut. Sipas saj persona të panjohur hodhën granatën nga shpërthimi i së cilës dy persona u plagosën, njëri nga të cilët më rëndë. Zëvendës drejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, i tha RTV21 se njëri nga të plagosurit është në gjendje më të rëndë, por jashtë rrezikut për jetë. Sipas tij “ende nuk dihen rrethanat e shpërthimit të granatës” dhe se “policia po heton dhe verifikon rastin”.

“Dy persona janë lënduar, njëri nga të cilët më rëndë por është jashtë rrezikut për jetë. Shtatë vetura janë dëmtuar pas shpërthimit. Po hetohen disa pista dhe ne besojmë se së shpejti do të kemi edhe të dyshuar. Ky sulm nuk ka të bëjë me motive etnike dhe as politike. Me siguri bëhet fjalë për qërim hesapesh, për borxhe ose për konflikte të mëhershme”, tha ai./21Media

Back to top button