Policia përdor sprej lotsjellës ndaj 9 vjeçares

 

 

Një hetim i brendshëm ka nisur pas publikimit të një videoje ku një oficer policie shihet që përdor sprejin lotsjellës ndaj një vajze 9 vjeçare.

Policia tha se vajza e vogël kishte kërcënuar të vriste nënën e saj dhe veten.

Pamjet tregojnë vajzën e prangosur që ulet prapa në makinën e policisë, por ajo duket e trazuar dhe nuk bashkëpunon për të ndjekur udhëzimet e oficerëve.

“Hajde tani! Do të të qëlloj me sprej, por nuk dëshiroj ta bëj, ulu dhe rri e qetë. Ky është shansi yt i fundit, do të të qëlloj me sprej lotsjellës në sy”, i thotë asaj një oficere policie.

“Dua babanë tim”, thotë vajza e përlotur, ndaj të cilës oficerja përgjigjet: “Do ta gjejmë atë. Do ta rregullojmë dhe punën e prangave”.

Një tjetër oficer afrohet dhe i kërkon vajzës: “Ndalo për një sekondë dhe merr frymë thellë”.

Më pas ajo dëgjohet që ulëret: “Mos të lutem, ndalo!” , kur oficeri nxjerr sprejin dhe ia drejton në fytyrë.

“Më qëllove në sy! Të lutem!” ulëret vajza.

Mediat vendase tregonin se policia ishte thirrur për konflikt familjar dhe një automjet të vjedhur.

Por prindërit e vajzës kishin thënë se trembeshin se ajo do të lëndonte veten apo të tjerët. Vajza ishte prangosur me kërkesën e prindërve pasi refuzoi të ngjitej në makinën e policisë.

Ajo ishte dërguar për kontroll në spital dhe më pas ishte liruar.

Kreu i policisë së Rochester, Mark Mura tha: “Vajza kishte sinjalizuar se dëshironte të vriste veten dhe të vriste nënën e saj. Por nuk dua të them se është diçka e mirë që qëllosh me sprej lotsjellës një vajzë nëntë-vjeçare”.

Disa anëtarë të këshillit bashkiak të qytetit thanë se ishin të shokuar nga trajtimi policisë për minorenët.

“Si mund të prangoset një vajzë 9-vjeçare dhe më pas të përdoret ndaj saj sprej djegës në fytyrë. Unë e kam provuar sprajin djegës dhe mund të them se kjo mund të ndryshojë jetën e saj”, tha këshilltarja Mary Lupien.

“Për këtë duhet të mbahet përgjegjësi”, theksoi ajo./21Media

 

Back to top button