Policia sekuestroi arsenal armësh

Policia e Kosovës ka kryer kontrolle në disa lokacione të ndryshme, operacion ky i cili ka rezultuar me sekuestrimin e një sasie të konsiderueshme të armatimit, përfshirë armë automatike të llojeve të ndryshme, municion, granata dore, e pajisje tjera të ndryshme.

Ky aksion, sipas njoftimit të Prokurorisë Speciale të Kosovës, është në vazhdën e veprimeve të ndërmarra gjatë ditës së djeshme në rajonin e Pejës dhe Prizrenit, i cili kishte rezultuar me arrestimin e pesë personave të dyshuar si dhe sekuestrimin e një sasie të konsiderueshme të armatimit, eksplozivit dhe parave të gatshme.

Prokuroria Speciale ka njoftuar se arrestimi i personave të dyshuar është kryer mbi dyshimin e bazuar për kryerjen  e veprave penale kundër Rendit Kushtetues dhe Sigurisë së Republikës së Kosovës ku dyshohen për veprat penale “Përgatitja e veprave Terroriste ose veprave penale kundër rendit Kushtetues dhe Sigurisë së Republikës së Kosovës” dhe “Kryerja e veprës terroriste”.

Po ashtu, të njëjtit dyshohen edhe për veprat penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”./21Media

Back to top button