Policia tregon detaje nga operacioni për gjetjen e 2 vjeçarit nga Malisheva

 

Policia e Kosovës, Stacioni Policor në Malishevë, mbrëmë në ora 20:20 përmes telefonit është njoftuar nga babai se djali i tij 2 vjeçar ishte larguar nga shtëpia para dy orëve në drejtim të panjohur.

Policia ka njoftuar se dyshimet fillestare ishin se fëmija ka hyrë në malin që gjendet afër shtëpisë në fshatin Tërpezë- Komuna e Malishevës. Sipas ankuesit janë bërë kërkime në shtëpi dhe përreth por nuk është hasur fëmija.

“Me qëllim të zbulimit të vendndodhjes së fëmijës, stacioni policor Malishevë menjëherë ka organizuar operacionin për kërkim-shpëtim, ku janë angazhuar Komandanti i Stacionit Policor të Malishevës, Zëvendësdrejtori rajonal, Shefi i Operativës Rajonale DRP-Gjakovë, patrullat policore nga Stacioni, NJRKRR si dhe operatorë të NJRSH, njësiti policor me qen (K-9). Po ashtu në operacion janë angazhuar Ekipi për Kërkim Shpëtim nga Forca e Sigurisë së Kosovës, ekipi për kërkim shpëtim nga Zjarrfikësit komunal, si dhe kanë dal në vend ngjarje edhe Nënkryetari i komunës dhe Drejtoria për Mbrojte dhe Shpëtim nga KK-Malishevë si dhe banorët e shumtë të fshatit Tërpezë dhe fshatrave tjera së bashku me grupin e vullnetarëve janë vënë në kërkim të fëmijës të humbur”, ka njoftuar policia përmes një komunikate për media.

Operacioni i filluar më datë 21.08.2020 ka vazhduar pandërprerë deri më datë 22.08.2020 në ora 11:45 kur është gjetur fëmija nga banorët e fshatit dhe ekipet e zyrtarëve nga PK, FSK dhe vullnetarëve të angazhuar në kërkim.

“Fëmija është gjetur në zonën malore në distancë rreth 600 metra larg shtëpisë dhe menjëherë iu është ofruar ndihma e parë nga ekipi i QKMF Malishevë të cilët kanë qenë të angazhuar në operacion dhe i njëjti i shoqëruar nga prindërit është dërguar në QKMF-Malishevë për ekzaminim mjekësorë. Sipas mjekëve gjendja shëndetësore e fëmijës është stabile, ndërsa pas kontrollit mjekësorë fëmija është liruar për në shtëpi”, ka njoftuar tutje policia./21Media

Back to top button