PPS heton pronat e dyshimta të VMRO-DPMNE-së

€6.9 mln janë shpenzuar vetëm për selinë e partisë

VMRO-DPMNE llogaritet të jetë një nga partitë politike më të pasura në Evropë, që sipas PPS-së thesarin e ka mbushur në pesë vitet e fundit. Në dosjen e PPS të koduar “Talir” nënvizohet se kjo parti në Agjencinë e Kadastrës ka mbi 90 prona të patundshme me listë posedimi. Vlera e gjithë kësaj pasurie llogaritet mbi 60 milion euro. Në lëndën “Talir” janë nën hetim dy të tretat e këtyre pronave, e njëra prej tyre është evidentuar në Komunën e Sarajit.

“Për këtë shtëpi fqinjët thonë se pronari i vjetër është larguar dhe pastaj është shndërruar në shtab të VMRO-DPMNE-së. Ky është njëri nga objektet në mesin e 12 kërkesave që PPS ka ngritur hetimin dhe kërkon që të konfiskohet.”

Sipas prokurores speciale, Lençe Ristoska, në 12 kërkesat për ngrirje të pasurisë ka së paku nga tri prona të dyshimta, që janë përvetësuar përmes keqpërdorimeve financiare nga ana e funksionarëve të lartë të VMRO-DPMNE-së gjatë periudhës 2009-2015. Kështu dukej më parë selia e kësaj partie. Kurse sot, ajo ka kushtuar 6.9 milion euro, sipas PPS-së nuk është prona e vetme e ndërtuar me para të dyshimta.

“Në kuadër të procedurës para hetimore arritëm të detektojmë prona të patundshme, të cilat janë blerë në emër të partisë politike, por nuk shfrytëzohet për qëllime partiake”, tha Lençe Ristoska, Prokurore në PPS.

VMRO-DPMNE në kundërpërgjigjen e saj theksoi se PPS po e luan lojën e LSDM-së.

“Tentimi i LDS-së dhe degës së tyre PPS-së, për të njollosur imazhin e VMRO-DPMNE-së pa fakte e as pa argumente është një rrugë e gabueshme. VMRO-DPMNE ashpër do t’i kundërvihet kësaj tentative për shkatërrimin e partisë”, u shpreh Sekretari i përgjithshëm i VMRO-DPMEN-së Emil Dimitriev.

Për ish-anëtarin e Komisionit Anti-korrupsion, Dragan Malinovski, përmes këtyre pronave është bërë larja e parave. Sipas tij, Gjykata do të duhej të pranonte kërkesat e PPS-së për ngrirjen e pronave.

“Për deri sa vazhdon procedura penale, e cila mund të zgjatë me vjet të tëra, partia nuk ka asnjë pengesë për t’i shfrytëzuar ato prona. Megjithatë, në fund të procedimit të lëndës, nëse vërtetohet se ato prona janë përvetësuar në mënyrë të paligjshme, ato prona duhet të konfiskohen me qëllim që të kompensohet dëmi i bërë buxhetit të shtetit” tha Dragan Malinovski, Avokat.

Neni 6 i Ligjit për financimin e partive politike thotë:

“Paritë politike kanë të drejtë të posedojnë hapësirë të tyre afariste, pajisje, materiale për zyra, automjete transporti dhe prona të tjera të tundshme që nevojiten për realizimin e qëllimeve dhe kryerjen e aktiviteteve të caktuar me statutin e partisë dhe me ligj”.

Sipas Drejtorisë së të Hyrave Publike, VMRO-DPMNE vitin e kaluar ka deklaruar mbi 1.8 milion euro donacione nga persona fizik dhe juridik. Po, sipas DHP-së, në vitin 2015 në konton e kësaj partie kanë dhënë donacione mbi 3600 persona fizik dhe dy kompani. Pjesa më e madhe e parave ose 73% nga këto donacione janë tubuar brenda 12 ditëve./21Media

Back to top button