Pranon fajësinë njëri prej të akuzuarve për terrorizëm, 4 të tjerë deklarohen të pafajshëm

I akuzuari Liridon Beqiri e ka pranuar fajësinë lidhur me shtytje në kryerjen e veprave terroriste dhe armëmbajtje pa leje, ndërsa të akuzuarit Besart Veselaj, Ernes Beqiri, Argjend Hoti dhe Altin Salihu janë deklaruar të pafajshëm për veprat që iu vihen në barrë.

Këto deklarime, u bënë në shqyrtimin fillestar të hënën në Gjykatën Themelore në Prishtinë në rastin ku Liridon Beqiri, Besart Veselaj, Ernes Beqiri, Argjend Hoti dhe Altin Salihu akuzohen për shtytje në kryerjen e veprave terroriste. Ndërsa, Liridon Beqiri dhe Veselaj po akuzohen edhe për armëmbajtje pa leje.

I akuzuari Liridon Beqiri e pranoi fajësinë pas leximit të aktakuzës nga prokurorja speciale Fikrije Fejzullahu.

“Po, po më vjen keq çka ka ndodh me kthy sun e kthej, u kanë gabim që sun ja fali vetit puna armëve, puna fotove. I kom dy evladë, kur jam kanë në burg kom menu shumë për ta, i kam ra pishman e nij veten fajtor. Ky send, kjo vepër nuk përsëritet nuk jam kanë në dijeni të peshës të veprës”, tha i akuzuari Beqiri.

Ndërsa, të akuzuarit Veselaj, Hoti, Salihu dhe Beqiri (Enesi), u deklaruan të pafajshëm lidhur me veprat për të cilat akuzohen.

Me pranimin e fajësisë së të akuzuarit Liridon Beqiri, u pajtua mbrojtësi i tij, avokati Veton Rrecaj. Ai tha se i mbrojturi i tij, pranimin e fajësisë e kishte bërë me vullnet të plotë, në përputhje me dispozitat ligjore.

Edhe prokurorja Fejzullahu nuk e kundërshtoi pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit Liridon dhe më pas i njëjti u aprovua nga gjykatësja Valbona Musliu- Selimaj,

Pas propozimit të mbrojtësit të të akuzuarit Liridon Beqiri, për të njëjtin u veçua procedura.

Në këtë seancë, mbrojtja e të akuzuarve i propozoi gjykatës që të akuzuarve t’iu ndërpritet edhe masa e arrestit shtëpiak.

Lidhur me këtë çështje, gjykatësja Musliu- Selimaj deklaroi se do të vendosë në momentin që të njëjtëve iu përfundon afati i vendimit me të cilin gjenden nën masën e arrestit shtëpiak deri më 7 mars.

Ndërsa, mbrojtësja e të akuzuarit Veselaj, avokatja Sabrie Jashari i propozoi gjykatës që si dëshmitar në këtë shqyrtim gjyqësor të dëgjohet edhe bashkë i akuzuari Liridon Beqiri, i cili e pranoi fajësinë.

Por, lidhur me këtë çështje gjykatësja Musliu- Selimaj tha se do të vendosë në kohën kur do të jetë faza e propozimit të provave.
Në fund, gjykatësja e caktoi për një datë tjetër seancën ku do të deklarohen palët për rrethanat të cilat ndikojnë në caktimin dhe lartësinë e dënimit lidhur me të akuzuarin Liridon.

Ndërsa për të akuzuarit Veselaj, Hoti, Salihu dhe të akuzuarin Ernes Beqiri, njoftoi se kanë të drejtë kërkese për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave pasi që nuk e pranuan fajësinë.

Sipas aktakuzës së ngritur më 24 janar 2024, thuhet se të akuzuarit Liridon Beqiri, Besart Veselaj, Ernes Beqiri, Argiend Hoti dhe Altin Salihu, nga periudha e panjohur kohore e në vazhdimësi në bashkëkryerje, kanë shpërndarë dhe mundësuar përcjelljen e mesazheve te personat tjerë në kryerjen e akteve terroriste.

Aktakuza thotë që janë takuar në shtëpinë e të akuzuarit Liridon Beqiri në fshatin Vitomiricë në Pejë dhe në shtëpinë e të akuzuarit Besart Vesalaj në fshatin Suhogrellë në Istog, dhe kanë bërë foto, video me uniforma-veshje të luftëtarëve të ISIS dhe armë të gjata duke gjuajtur, e po ashtu në studion e të akuzuarit Liridon Beqiri “Moostdope film L.L.C”, ku kanë modifikuar dhe përkthyer video të cilat i kanë shpërndarë për publikun në llogarinë në “Youtube” me emrin “Es Sunneh-Tv”.

Sipas aktakuzës, këto video paraqesin pamje të luftëtarëve të Organizatës Terroriste “Shteti Islamik-ISIS”, në të cilat shihen vrasje masive, ekzekutime dhe tortura ndaj njerëzve të zënë robër, si dhe thirrje për besatim e xhihad si “Festa ime është Xhihadi dhe muzika e saj janë plumbat që fluturojnë mbi kokën time“, e shumë shkrim tjera me përmbajtje të njëjta përmes të cilave të akuzuarit kanë nxitur dhe përcjellë mesazhe te persona tjerë në kryerjen e akteve terroriste.

Në aktakuzë thuhet se gjatë urdhër-kontrollit të shtëpive dhe objekteve përcjellëse më 15 maj 2023, te të akuzuarit janë gjetur dhe sekuestruar pajisje elektronike me materiale propagandistike, të cilat i kanë shpërndarë për publikun.

Me këtë, të akuzuarit në bashkëkryerje akuzohen se kanë kryer veprën penale “Shtytje në kryerjen e veprave terroriste” nga neni 134 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Ndërsa, sipas dispozitivit të dytë të aktakuzës, të akuzuarit Liridon Beqiri dhe Besart Veselaj prej datës të pavërtetuar e në vazhdimësi, kanë mbajtur në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar armët në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm.

Sipas aktakuzës, në kohë dhe vend të përshkruar në dispozitivin nën I të aktakuzës, gjatë zbatimit të urdhëresës së gjyqtarit të procedurës paraprake për urdhër-kontroll në shtëpitë dhe objektet përcjellëse të të akuzuarve, janë gjetur dhe sekuestruar armë, municion, pajisje të armëve si dhe prova tjera.

Aktakuza thotë se në shtëpinë e të akuzuarit Liridon Beqiri janë gjetur dhe sekuestruar një armë e gjatë AK-47, një pistoletë, karikator me dy fishekë me Ekol Special EVIB, pjesë e armës së gjatë, dy thika, një karikator i AK-47 me 4 fishekë 7.62 mm, një pushkë ajrore, fishek me gaz, gëzhoja dhe prova tjera materiale, ndërsa të akuzuarit Besart Veselaj në shtëpinë e tij i janë gjetur dhe sekuestruar një armë-pistoletë me karikatorë, dy thika dhe prova tjera materiale.

Me këtë, të akuzuarit secili veç e veç akuzohet se kanë kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par. 1 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi

Back to top button