Premiera e shfaqjes “Babai dhe Babai” do të jepet më 16 maj
Premiera e shfaqjes “Babai dhe Babai” me tekst nga Jeton Neziraj, nën regjinë e Kushtrim Koliqit dhe me aktorët Ilire Vinca, Bujar Ahmeti dhe Kosovare Krasniqi do të jepet më 16 maj.
Kjo shfaqje një mënyrë të jashtëzakonshme e trajton çështjen e personave të pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë. Me një ndërthurje mahnitëse mes trajtimit të kësaj çështjeje nga aspekti i “të pagjeturve” dhe nga aspekti i atyre që ata lanë pas, kjo shfaqje na sjell jetën dhe sfidat e një familje normale e të zakonshme, të paktën në dukje.
Shfaqja paraqet jetën e Dinit, i cili jeton me gruan e vet Sarën dhe vajzën e tyre Lolën. Jeta e tyre është goxha e njëtrajtshme, megjithatë, kjo njëtrajtshmëri duket se vie nga hallet e problemet e jetës me të cilat ballafaqohen. Por përtej kësaj ‘njëtrajtshmërie’, duket se në shtëpi ka edhe një palumturi të pashpjegueshme.
“Babai dhe Babai”, në dukje një dramë për sfidat e zakonshme të jetës së një familjeje, na zbulon një histori tronditëse dhe një traumë të thellë shoqërore, një plagë që ka ngelur e pashëruar dhe e cila personazhet i mban peng, përgjithmonë.
Pjesë e ekipit artistik të këtij prodhimi janë edhe Njomëza Luci, kostumografe; Adhurim Grezda, kompozitor; Mentor Berisha, skenograf; Kaltërim Balaj, asistent regjisor; Leart Rama, video realizator, Skender Latifi, dizajner i dritave dhe Florian Mehmeti, dizajner.
Premiera e shfaqjes do jepet nga ora 20:00 në Muzeun Etnologjik “Emin Gjiku” në Prishtinë. Për të vazhduar menjëherë më 17, 18 e 19 maj, me reprizat e para të kësaj shfaqje, që do të jepen nga ora 20:00, po ashtu në Muzeun Etnologjik “Emin Gjiku” në Prishtinë./21Media