Premtohet rritje e pagës minimale për 20 për qind

Me pagën aktuale minimale prej 10 mijë e 80 denarë, vështirë se jetohet në Maqedoni

Megjithatë, edhe rritja e saj deri në 12 mijë denarë nuk është e mjaftueshme, thonë sindikatat e pavarura. Një pjesë e sindikalistëve thonë se në Maqedoni, puna nuk vlerësohet sa duhet, ndërsa paga harxhohet vetëm për ushqim dhe fatura.

“Që një familje të mbijetojë, minimalisht nevojiten 33 mijë denarë, ndërsa paga minimale këtu është 10.080 denarë. Edhe sikur të punonin dy vetë, do të na mungonin edhe 6-7 mijë denarë. Kjo tregon se paga minimale nuk është e mjaftueshme që familjet të mund të mbijetojnë”, tha Zhivko Daneski, Kryetar i Agro.

Ministri për punë dhe politikë sociale, Ibrahim Ibrahimi, në ditën e punëtorëve premtoi rritjen e pagës minimale për 20% Ai pas takimit me kryetarin e Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë Zhivko Mitrevski, deklaroi se këto janë vetëm bisedimet e para për rritjen e pagës minimale, shkruan TV21.TV

“Erdhëm në përfundim se ka hapësirë dhe dëshirë për rritjen e pagës minimale dhe besoj se shumë shpejt, në bisedë edhe me përfaqësues të tjerë të sindikatave dhe me punëdhënësit, do të gjejmë modele dhe zgjidhje të përbashkëta për rritjen e pagës minimale”, u shpreh Ibrahim Ibrahimi, Ministër i punës dhe politikës sociale.

Kryetari i Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë, Zhivko Mitrevski tha se ka hapësirë për vazhdimin e politikave të rritjes së pagave.

“Këshilli Ekonomiko-Social është një organ tripalësh. Kjo do të thotë se cilado parti që të jetë në pushtet, ajo është partner social i të gjitha sindikatave, përfshi edhe i Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë. Është detyrim, si i qeverisë, ashtu edhe i partnerëve socialë që të implementohen të gjitha politikat konkrete që përpiluara më herët”, tha Zhivko Mitrevski, Kryetar i LSM.

Përndryshe, nga sot, me punë filloi edhe portali i ri në internet i quajtur “sindikalec”. Në të, punëtorët mund të denoncojnë për ushtrim trysnie në vendin e punës, parregullsi, mobing dhe të kërkojnë në mënyrë anonime ndihmë juridike, për të cilën do të marrin përgjigje brenda 24 orëve./21Media

Back to top button