Presidenca i reagon Deliu-Kodrës: Nuk ka pse t’ia kujtojë Presidentes detyrat e obligimet e saj!

Këshilltarja e Presidentes Vjosa Osmani, Donjeta Miftari i ka reaguar deputetes së PDK-së Blerta Deliu-Kodra.
Miftari përmes Facebook-ut, ‘i është përgjigjur’ Deliu-Kodrës, duke i thënë se Presidentja Osmani i di obligimet kushtetuese dhe përgjegjësitë e saj.
“Presidentja e Republikës së Kosovës i di shumë mirë obligimet e saj kushtetuese, se cilat janë përgjegjësitë e saj, e cilat jo. Ashtu si pjesa më e madhe e botës, Republika e Kosovës është përballur me sfida që lidhen me pandeminë, për të cilat është angazhuar personalisht Presidentja. Ky angazhim, ndër të tjera, ka rezultuar me sigurimin e donacionit prej mbi 500,000 vaksinave nga SHBA-të dhe mijëra vaksina të tjera nga partnerë të tjerë. Me këtë temë, nga vaksinimi, e deri te vetëdijesimi, Presidentja merret në baza ditore dhe këto bëhen transparente për publikun nëpërmjet komunikatave për medie”, ka thënë Miftari.
Tutje Miftari shton se, Deliu-Kodra nuk ka pse t’ia kujtojë Presidentës Osmani detyrat e saj.
“Si udhëheqëse e politikës së jashtme ajo kryesisht angazhohet për mbështetje më të madhe të partnerëve në ballafaqimin me pandeminë, por edhe për sektorin e shëndetësisë në përgjithësi. Së fundi, Presidentja e ka diskutuar temën e pandemisë në koordinim me partnerët edhe sot, në takim me ambasadorin amerikan si dhe me ambasadorin e OSBE-së. Ajo vazhdimisht i bënë të qarta kërkesat dhe qëndrimet e saj edhe në Komitetin për vlerësimin e situatës me pandeminë. Se sa është angazhuar Presidentja për këtë temë, ka raportuar edhe në Kuvend, ashtu siç e kërkon Kushtetuta, por deputetja Deliu bashkë me partinë e saj e kishin bojkotuar (njëjtë siç kishin votuar kundër kur Presidentja në cilësinë e kryetares së Kuvendit propozonte amandamente për t’ua lehtësuar qytetarëve ballafaqimin me pandeminë). Si një grua, znj.Blerta nuk ka pse t’ia kujtojë Presidentes detyrat e saj si nënë, ngase një veprim i tillë nuk ndodh asnjëherë në raport me burrat që kanë fëmijë. Kjo qasje është seksiste dhe vetëm sa e inkurajon seksizmin në shoqërinë tonë. Pritjet janë më të mëdha prej një politikane e deputete”, shton Miftari.
Kujtojmë se, Deliu Kodra, ka kritikuar Presidenten Osmani duke thënë se ka një kohë që kjo e fundit nuk është deklaruar për zhvillimet në Kosovë.
“Ka kohë të gjatë që zonja Osmani nuk është deklaruar lidhur me gjendjen në të cilën janë qytetarët e Republikës së Kosovës, me dëmtimin e shëndetit publik, me masat e rënda shpeshherë të papërballueshme, me çmime të cilat janë tejet të larta e  po shtrenjtohen çdo ditë, me paralajmërimet e rënda për rritje enorme të çmimit të energjisë elektrike”, ka thënë Deliu Kodra.
Deliu-Kodra i ka bërë thirrje presidentes Osmani që të deklarohet për zhvillimet e fundit, njëjtë siç ka folur për zhvillimet në Ukrainë dhe Rusi, duke shtuar se qytetarët kanë nevojë ta dëgjojnë edhe zërin e të parës së shtetit./21Media

Back to top button