Presidenti i FHK-së: Ashtu siç kemi dëshiruar u realizua një moment historik për hendbollin e Kosovës

Përfaqësuesja U18 e Kosovës në hendboll është kualifikuar në Kampionatin Botëror që do të mbahet në Kinë. Në ndeshjen vendimtare për kualifikim, Kosova këtë të diel mposhti Nigerinë me rezultat 22:16.
Me këtë rast, presidenti i Federatës së Hendbollit të Kosovës (FHK), Eugen Saraçini ka thënë se ky prezantim i hendbollit kosovar në një Kampionat Botëror është vërtetë historik.
“Ashtu siç kemi dëshiru u realizua një moment historik për hendbollin e Kosovës. Jemi në Kampionatin Botëror i cili do të organizohet në Kinë. Një lojë shumë e përkushtuar, fantastike dhe të gjitha vajzat meritojnë falendërim për angazhimin e tyre, shtabin teknik në krye me trajnerin dhe gjithë ekipi që ka ardhë këtu në Uzbekistan ka qenë shumë i përkushtuar dhe suksesi u arrit. Unë mendoj se Hendbolli kosovar çdoherë e më tepër ndonjëherë aty-këtu me batica e zbatica, por po arrihen rezultate kulminante dhe besoj që edhe ky prezantim i hendbollit kosovar në një Kampionat Botëror është vërtetë historik”, tha Saraçini.
Ndërsa, kryetrajneri i U18, Mitat Ferati pas kualifikimit të Kosovës në Botëror tha se ka qenë një lojë e vështirë por, vajzat tona me lojën e tyre kanë treguar se nuk dorëzohen duke e rrëmbyer trofeun.
E hendbollistet që e çuan Kosovën në Botëror thonë se atje nuk do të shkojnë vetëm për paraqitje, por do të synojnë edhe rezultate pozitive./21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?